Qytetarët e Kosovës sot do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna. Numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues. Në këto zgjedhje, qytetarët do të mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist.
Nga Fatos Shala
Qytetarët e Kosovës sot u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokalë, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.
Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00, ndërkaq në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.
Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 meshkuj dhe 1,937 femra.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,364.
Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se si qytetar i Kosovës ka shfrytëzuar të drejtën për të votuar.
“Si qytetar i Republikës posa ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira. Qytetarët në Kosovë sot vendosin se kush do të vendosë, përcaktohet se kush do të jenë udhëheqësit e tyre. Inkurajoj të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë moment demokracie”, tha Kurti para mediave.
Kurse, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e zgjedhjeve lokale ka thënë se qytetarët sot votojnë për cilësinë e jetës në komuna.
Osmani në një postim në Facebook shkruan se shpreson se sërish do të dëshmohet shpirti demokratik nëpërmjet pjesëmarrjes sa më të lartë në një proces të drejtë dhe të lirë, e duke i respektuar masat kundër Covid-19.
“Mirëmëngjesi Kosovë! Sot të gjithë votojmë për kualitetin e jetës sonë në komunat ku banojmë. Pavarësisht se në cilën komunë votoni, shpresoj që sërish ta dëshmojmë shpirtin tonë demokratik nëpërmjet pjesëmarrjes sa më të lartë në një proces të drejtë dhe të lirë, e duke i respektuar masat kundër Covid-19. I priftë e mbara Republikës sonë”, shkruan Osmani.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se vendimet e kryetarëve të komunave janë të rëndësishme, andaj edhe u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të votojnë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
“Vendimet (e kryetarëve) qofshin ato duke u dhënë prioritet shkollave, transportit publik, mbledhjes së mbeturinave apo projekteve tjera, ndikojnë në kualitetin e jetës së përditshme”, ka thënë kjo Ambasadë përmes një postimi në Twitter.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa tha se qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në 19:00.
“Unë dhe bashkëshortja ime e shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar… Qendra e votimit është hapur dhe janë të hapura deri në ora 19:00. Ftoj qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese dhe të votojnë. Dua të bëj thirrje edhe partive politike edhe këshillave të vendvotimeve të kontribuojnë në mbarëvajtjen e ditës së zgjedhjeve”, tha Radoniqi.
Ai tha se janë të përgatitur që të dalin me rezultatet preliminare të zgjedhjeve në orët e vona.
“Jemi të përgatitur që të japim rezultatet preliminare deri në orët e vona, por nëse mbetet diçka atëherë nesër. Stafi do të punojë 24 orë”, tha ai.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se policia ka krijuar urdhër Planin operativ në nivel vendi për mbajtjen e rendit dhe qetësisë për sigurimin e vendvotimeve, qendrave të votimit, sigurim dhe shpërndarje të materialit sensitiv.
Ai ka thënë se në ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar 3,552 zyrtarë policorë.
Në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.
Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 meshkuj dhe 1,937 femra.
Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.