Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vendosur që 6 tetori i këtij viti do të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë. Këto zgjedhje pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 6 milionë euro, 2 milionë më shumë sesa zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Për pozitën e shefit të qeverisë në garë janë: Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Vjosa Osmani, Albin Kurti e Fatmir Limaj.
Qytetarët e Kosovës më 6 tetor të këtij viti do t’i drejtohen kutive të votimit për t’ia dhënë legjitimitetin një qeverie të re në vend.
Vendimin për këtë datë e ka marrë presidenti i vendit Hashim Thaçi menjëherë pasi dekretoi shpërndarjen e legjislaturës së VI të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e caktoi edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në vendimin e nënshkruar nga Thaçi thuhet se: “Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ka marrë vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 6 tetor 2019”.
Po ashtu përmes këtij vendimi i është kërkuar KQZ-së të fillojë organizimin e zgjedhjeve. “Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në më tej në këtë vendim.
Në anën tjetër sipas parashikimeve të para, 6 milionë euro pritet të jetë kostoja për buxhetin e Kosovës e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në pritje të një opinioni këshillues nga Gjykata Kushtetuese, Ministria e Financave ende nuk ka bërë ndarjen e mjeteve buxhetore për KQZ-në.
E Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme për të marrë vendimet e para që do t’i shërbejnë organizimit të këtyre zgjedhjeve.
“Në rend të ditës pritet të jenë disa vendime si shkurtimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore duke i përshtatur me ditët në dispozicion të KQZ-së, miratimi i Planit Operacional dhe miratimi i buxhetit të planifikuar për këto zgjedhje”.
Këto janë zgjedhjet e shtata për Kuvendin e Kosovës që nga paslufta. Deri më tani, që nga shpallja e pavarësisë, të gjitha zgjedhjet parlamentare në Kosovë duke përfshirë dhe këto të fundit ishin zgjedhje të parakohshme.
Aktualisht, partitë dhe koalicionet në Kosovë kanë dalë me emrat e katër figurave politike si kandidatë për pozitën e kryeministrit.
PDK-ja ka kandidat liderin e saj, Kadri Veselin, kurse AAK-ja po ashtu liderin e saj dhe kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj.
Ndërkohë, edhe opozita aktuale, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht faktit se janë në negociata për koalicion, kanë dy kandidatura të ndara.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nxjerrë në betejën për kryeministre Vjosa Osmanin. Kurse Vetëvendosje, edhe pse nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, në shumë raste ka prezantuar liderin e saj, Albin Kurtin, për pozitën e shefit të qeverisë. Në garë për pozitën e shefit të qeverisë është edhe Fatmir Limaj nga koalicioni NISMA-PSD.
Kuvendi i Kosovës u shpërnda më 22 gusht, me 89 vota për, një kundër dhe dy abstenime.
Kjo pasoi dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, më 19 korrik.
Haradinaj ka thënë se ka dhënë dorëheqje pasi ka marrë pjesë nga Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Kosovë për t’u intervistuar si i dyshuar./Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.