Qytetarët e Kosovës, sot (6 tetor), nga ora 07:00 deri në orën 19:00, do të kenë mundësi për të votuar për të zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës. Garues për kryeministër të Kosovës i janë furur, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Vjosa Osmani, Albin Kurti e Fatmir Limaj.
Pas një fushate 10 ditëshe për zgjedhjet e parakohshme, në Kosovë sot do të votohet.
Në këto zgjedhje parlamentare, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 shtetas, që do të kenë mundësinë të votojnë për partitë apo kandidatët e tyre të preferuar për deputet.
Për zgjedhjet e 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur.
Të drejtë vote në zgjedhjet e 6 tetorit kanë saktësisht 1 milion e 937 mijë e 869 votues. Në këto zgjedhje janë më shumë se 100 mijë votues të ri.
Sipas KQZ-së, në këto zgjedhje do të hapen 895 qendra të votimit me gjithsejtë 2 mijë e 547 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19.00.
Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga një grup i më shumë se 40 organizatave të shoqërisë civile të cilët janë bashkuar në koalicionin “Demokracia në Veprim”.
Procesi zgjedhor i 6 tetorit do të vëzhgohet edhe nga një mision i gjerë i Bashkimit Evropian. Rreth 30 vëzhgues dhe analistë të këtij misioni janë vendosur në Kosovë që nga fillimi i muajit shtator.
Në listën përfundimtare të votuesve, sipas Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve numri i votuesve është 1,937.868, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime, pra 136,068 apo 7.02 për qind fletëvotime më pak se votues.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.
Dorëheqja e tij kishte pasuar ftesën nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku Haradinaj ishte ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Më pas, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar mocionin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu mundësinë ligjore presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për datën 6 tetor./Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.