Kosovë dhe Shqipëri, krijimi i një tregu të përbashkët është i domosdoshëm

29/06/2015 9:14 AM 0 komente

Ekspoforumi “Mënyrat e reja të financimit të projekteve strategjike Kosovë – Shqipëri” mblodhi sot në Prishtinë përfaqësues institucionalë të Kosovës dhe të Shqipërisë, kompani nga vendi e diaspora, si dhe donatorë, për t’i diskutuar objektivat strategjike të të dy vendeve dhe mënyrat e financimit të projekteve të përbashkëta, njoftoi Ministria e Diasporës.

Sipas Gjergj Buxhukut, përfaqësues i AlbKonfindustrisë, Kosova dhe Shqipëria duhet të orientohen nga mënyrat e ndryshme për t’i shikuar mundësitë zhvillimore. Sipas tij, një parakusht i rëndësishëm është fuqizimi i tregjeve aktuale dhe inicimi i projekteve aktive nga vetë shtetet që ta nisin kërkimin e kompanive private për të investuar.
Në këtë kontekst, ministri i Diasporës, z. Valon Murati, njëherësh bashkënikoqir i këtij takimi, theksoi se potenciali i shqiptarëve në diasporë është shumëdimensional, duke u nisur nga ai intelektual, profesional, kulturor deri tek ai financiar.
“Të dy qeveritë kemi filluar ta kuptojmë rëndësinë e këtij potenciali. MeD-ja ka vazhduar krijimin dhe konsolidimin e rrjetit të bizneseve, që do të shndërrohet në një partner të zhvillimit ekonomik, ndërsa heqja e barrierave mes dy vendeve dhe krijimi i një tregu të përbashkët do ta lehtësojë edhe më shumë të bërit biznes”, tha ministri Murati, shkruan Bota sot.
Nga ana tjetër, ministri i Energjisë dhe i Industrisë në Qeverinë e Shqipërisë, z. Damian Gjiknuri, përpos që ritheksoi rëndësinë e një tregu të përbashkët, tha se kapacitetet e Kosovës dhe të Shqipërisë në fushën e energjetikës kanë mbetur të paeksploatuara.
“Ne kemi nevojë për investime të huaja, për hapje të tregjeve tona, sepse si do të jemi atraktivë pa treg të qëndrueshëm. Roli i shtetit është të fasilitojë investim dhe të promovojë projekte. Ne kemi mungesë të projekteve. Kapitale ka, por projekte nuk ka”, tha Gjiknuri.
Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë e Kosovës, znj. Hykmete Bajrami, tregoi për përpjekjet e MTI-së në rregullimin e infrastrukturës ligjore dhe asaj financiare për investimet e huaja, duke theksuar rëndësinë e fillimit të punës së Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku do të adresohen drejtpërdrejt kërkesat e investitorëve të mundshëm në nivel ministror.
Z. Lazim Destani, president i kompanisë “ECOLOG” dhe kryetar nderi i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, kërkoi që praktika e investimeve me mjete vetjake, siç është duke u aplikuar tash për tash në Kosovë, rrallë ku gjendet në vendet e zhvilluara, aq më pak në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërpritet, ndërsa Qeveria të jetë hisenike në projektet zhvillimore.
Në punimet e forumit u paraqitën edhe projekte nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, pikërisht në sektorin e energjetikës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of