Kosovë, Institucionet shpenzuan rreth 20 milionë euro për telefona, karburante e mëditje 

15/10/2019 11:31 AM 0 komente

Zbulohet ku i shpenzuan miliona euro Institucionet e Kosovës 

 

Instituti GAP ka bërë një analizë të shpenzimeve publike të Qeverisë së Kosovës, duke i krahasuar të dhënat e vitit 2018 me ato të një viti më parë. GAP-i, duke u thirrur në raportin vjetor financiar 2018, potencon se gjatë vitit 2018, të gjitha institucionet publike kanë shpenzuar në total rreth 20 milionë euro për reprezentacion, përdorim të telefonave mobil, karburante për vetura si dhe mëditje për udhëtimet brenda dhe jashtë vendit.

 

Mëditjet për udhëtimet zyrtare brenda dhe jashtë shtetit përbëjnë një shumë të majme të shpenzimit të parasë publike. Po ashtu, miliona euro të buxhetit të Kosovës shpenzohen për mbushjen e veturave zyrtare me karburante, mbushjen e telefonave mobilë, e po ashtu edhe për shpenzime të reprezentacionit (ku hyjnë shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare). 

Si shpenzime direkte të ndërlidhura me postet e politikanëve apo zyrtarëve publikë është e rëndësishme të analizohet se sa konkretisht shpenzohet buxheti për këto kategori dhe kush janë shpenzuesit më të mëdhenj.

Sipas raportit vjetor financiar 2018 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2018, të gjitha institucionet publike kanë shpenzuar në total rreth 20 milionë euro për reprezentacion, përdorim të telefonave mobilë, karburante për vetura si dhe mëditje për udhëtimet brenda dhe jashtë vendit.

“Secila nga këto kategori ka pasur rritje nga viti 2017, ku shpenzimet për mëditje janë rritur për 45%, për reprezentacion për 18%, për telefona mobil për 30% si dhe për karburante për 1%”, ka thënë GAP.

Instituti thotë se mëditjet për udhëtimet zyrtare brenda dhe jashtë shtetit përbëjnë një shumë të majme të shpenzimit të parasë publike. 

“Shpenzimet për mëditje të Qeverisë së Kosovës për udhëtimet zyrtare brenda dhe jashtë vendit ishin rreth 4.5 milion euro apo për 45% më të larta krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018, krahasuar me vitin paraprak mëditjet e udhëtimeve zyrtare brenda vendit janë rritur për 8% apo katër mijë euro, ndërsa mëditjet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit janë rritur për 46% apo 1 milion e 399 mijë euro”. 

 

Po ashtu GAP thotë se miliona euro të buxhetit të Kosovës shpenzohen për mbushjen e veturave zyrtare me karburante, mbushjen e telefonave mobilë, e po ashtu edhe për shpenzime të reprezentacionit (ku hyjnë shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare).

GAP thotë se si shpenzime direkte të ndërlidhura me postet e politikanëve apo zyrtarëve publikë është e rëndësishme të analizohet se sa konkretisht shpenzohet buxheti për këto kategori dhe kush janë shpenzuesit më të mëdhenj.

Për disa vite me radhë, Instituti GAP ka publikuar të dhëna për shpenzimet e ministrave e ministreve dhe zyrtarëve të kabineteve të tyre për mëditje, telefoni mobile, karburante dhe reprezentacion. 

“Shuma e shpenzuar për mëditje brenda dhe jashtë vendit nga 13 ministri është rreth 127 mijë euro. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është e para që listohet me mbi 25 mijë euro shpenzime për mëditje, ndërsa, pas saj radhitet Ministria e Zhvillimit Ekonomik me 4 mijë euro më pak, e kështu me radhë”. 

 

Të dhënat për këto shpenzime janë mbledhur përmes kërkesave zyrtare në institucionet përkatëse ngase ato nuk publikohen në faqet zyrtare të institucioneve. GAP-i thotë se në të shumtën e rasteve, një numër i konsiderueshëm i ministrive vazhdojnë të mos përgjigjen në kërkesat e tyre si për shembull. 

“Nga të dhënat e 14 ministrive që janë përgjigjur del se gjatë vitit 2018 janë shpenzuar gjithsej rreth 233 mijë euro për shpenzime të reprezentacionit. Ministria e Shëndetësisë prinë me këto shpenzime me rreth 22 mijë euro në vit. Kurse, në krahasim me vitin e kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme ka rritur shpenzimet për 9 mijë e 600 euro”. 

Zyra e Kryeministrit në tri vitet e fundit është përgjigjur vetëm për shpenzimet e vitit 2017; Ministria e Punëve të Jashtme nuk është përgjigjur për tri vite me radhë, Ministria e Administratës Publike për dy vite me radhë, Ministria e Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë është përgjigjur pjesërisht apo nuk është përgjigjur fare.

“Duke u bazuar në postet drejtuese, në institucionet për të cilat kemi të dhëna, këshilltarët politikë kanë shpenzuar më së shumti për mëditje dhe përdorim të telefonave mobil, kurse zëvendësministrat/et kanë shpenzuar më së shumti për reprezentacion dhe për karburante për vetura”, ka potencuar Instituti GAP./Fatos Shala për Monitor.al/.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of