Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) ka nisur një peticion për ngritjen e pagës minimale në Kosovë.
Kjo parti thekson se paga minimale prej 170 euro, nuk mjafton as për t’u ushqyer mjaftueshëm brenda një muaji, e lëre më për t’u përkujdesur për shëndetin, veshmbathjen, faturat, e të tjera.
“Ndihma juaj është e domosdoshme për të ushtruar presion ndaj qeverisë që të marrë vendimin për ta rritur pagën minimale. Prandaj, hyni në www.peticione.com dhe nënshkruani peticionin online për rritjen e pagës minimale. #MerrÇfarëTëTakon”, thuhet në njoftimin e PSD-së.
Kurse, kryeministri Ramush Haradinaj ditë ma parë ka treguar se i kishte kërkuar ministrit të Punës, që menjëherë të riaktivizojë Këshillin Ekonomik Social, në mënyrë që të filloj diskutimi për pagën minimale në vend.
“Rritja e pagës minimale në vend është një nga veprimet e domosdoshme që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve tanë. Kam kërkuar nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, që menjëherë të riaktivizojë Këshillin Ekonomik Social, në mënyrë që të fillojë diskutimi për pagën minimale në vend. Unë si Kryeministër dhe Qeveria e vendit, përkrahim fuqishëm rekomandimin e Këshillit Ekonomik Social, për rritjen pagës minimale, e cila nuk ka pësuar rritje që nga viti 2011”, ka thënë Haradinaj.
Andaj, sipas tij, është shumë me rëndësi që edhe kjo pjesë e shoqërisë të përfitojë nga rritja ekonomike e vendit që ka ndodhur nga ky vit dhe ashtu siç kemi vendos rregull edhe në sektorin publik, përmes miratimit të Ligjit për Pagat.
Këshilli Social Ekonomik ka marrë vendim unanim që paga minimale të rritet në 250 euro, por që një vendim i tillë ende nuk ka hyrë në fuqi, dhe fajtor për këtë, sipas sindikalistëve, është Qeveria e Kosovës.
Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.
Pavarësisht trendëve ekonomike në të cilat ka kaluar Kosova gjatë këtyre viteve, paga minimale ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2011.
Derisa, paga minimale në Kosovë ka mbetur e njëjtë që nga viti 2011, çmimet e konsumit kanë shënuar rritje.
Në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve, thuhet se shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2019 me muajin janar 2018 ishte 3.1 për qind./Fatos Shala-Monitor.al/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.