Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ua ka plotësuar kërkesën shumë kategorive të punëtorëve të sektorit publik për ta kthyer Ligjin për Paga në Kuvend. Ai ka zgjedhur që, as mos ta kthej, e as mos ta dekretoj, por ta lë këtë ligj të futet në fuqi heshtazi. Mbrëmë në mesnatë ka kaluar afati ligjor prej tetë ditëve brenda të cilit kreu i shtetit duhet ta nënshkruaj një projektligj.
Në zyrën e Presidentit të Kosovës kanë treguar se projektligji për Pagat nuk është dekretuar.
“Projektligji për Pagat nuk është dekretuar nga Presidenti, por pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi. Zyra e Presidentit ka marrë premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme”.
Kushtetuta e Kosovës, sikundër edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh që ligji hyn në fuqi në rastet e tilla.
“Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare”, thuhet në Kushtetutë.
Rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh që kur ligji kthehet nga presidenti për rishqyrtim, atëherë Kryesia e Kuvendit ia dërgon atë komisionit funksional raportues për shqyrtim.
Ky komision i shqyrton vetëm çështjet që i përmban vendimi i Presidentit dhe brenda dy javë pune, nga data e pranimit të tij, ia paraqet Kuvendit raportin me rekomandime.
Pastaj, Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve vendos për ose kundër miratimit të rekomandimit të komisionit për vërejtjet e Presidentit.
Nëse Kuvendi nuk e miraton rekomandimin e komisionit për vërejtjet e Presidentit, atëherë ligji mbetet ashtu siç është miratuar më parë nga Kuvendi dhe konsiderohet i shpallur.
Në Qeveri patën paralajmëruar se kthimi i mundshëm në Kuvend i Ligjit për Pagat do të ishte goditje për reformën shtetërore, pasi me këtë ligj pretendohet se i është dhënë arbitraritetit të pagave në sektorin publik.
Tash, Ligji për Paga pritet të hyjë në fuqi 9 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Ligji për pagat ka kaluar në Kuvend më 2 shkurt, me 63 vota për dhe 1 abstenim.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pati deklaruar se kjo është një fitore e drejtësisë në paga, dhe Ligjin e ka quajtur hap historik të Kosovës.
Po ashtu, Veseli ka thënë se pagat do të rriten për shumicën e punëtorëve në sektorin publik. Ndërkaq partitë opozitare kanë vlerësuar se ky ligj me mos votimin e amendamenteve të propozuara është ‘masakruar’
/Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.