U prezantua Studimi i Realizueshmërisë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë – Elbasan – Pogradec, financuar nga fondet e Komisionit Europian, të mundësuara përmes Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Studimi ka filluar në prill 2017.
Studimi është kryer në dy faza. Gjatë fazës së parë u krye vlerësimi i para-realizueshmërisë për të gjithë linjën hekurudhore 151 km, 72 km e parë të së cilës ndërmjet Durrësit – Rrogozhinës – Elbasanit janë në punë sot. Pjesa e mbetur prej 79 km nga Elbasani në Pogradec, nuk janë në funksion, për shkak të gjendjes të keqe të linjës dhe të strukturave (urave dhe tuneleve) përgjatë saj.
Studimi i para-realizueshmërisë përfshiu një analizë kosto-përfitim (CBA) përmes vlerësimit të tre skenarëve të zhvillimit të projektit. Për skenarin e përzgjedhur, projekti konceptual u përgatit për të gjithë linjën hekurudhore. Si rezultat i fazës 1, u krye prioritarizimi i të gjithë segmenteve të linjës hekurudhore. Segmenti Durrës – Rrogozhinë u vlerësua me prioritet më të madh për ndërhyrjet e rehabilitimit.
Gjatë fazës së dytë, u përgatitën projekti paraprak dhe analiza përkatëse e kosto-përfitimit për segmentin prioritar Durrës – Rrogozhinë, së bashku me vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis, përgatitur sipas kuadrit ligjor vendas. Segmenti i linjës Durrës – Rrogozhinë është i gjatë 33.5 km. Kostoja e rehabilitimit vlerësohet në 52 milionë euro.
Rehabilitimi i këtij segmenti, me prioritet të lartë, do të përmbushë standardet e projektimit të Rrjetit Ndëreuropian me shpejtësi 100 km/h dhe ngarkesë aksi 22.5 tonë. Koha e udhëtimit do të reduktohet nga 60 minuta në 32 minuta. Lëvizja përgjatë këtij segmenti pritet të arrijë 330,000 pasagjerë dhe 1,100,000 tonë mallra deri në vitin 2047.
Vlera e përllogaritur në kursimin e kohës për përdoruesit e sistemit të transportit shqiptar do të jetë 0.65 milionë euro për udhëtarët dhe 15.3 milionë euro për transportin e mallrave. Kursime shtesë nga zvogëlimi i kostos të operimit të automjeteve në transportin rrugor përllogariten në 0.5 milion euro për udhëtarët dhe 8.7 milionë euro për transportin e mallrave.
Rehabilitimi i së gjithë linjës hekurudhore do të ndikojë në zhvillimin e transportit strategjik multimodal për Ballkanin Perëndimor. Linja hekurudhore Durrës – Elbasan – Pogradec me linjën e re nga Lini në kufi me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë është pjesë e Korridorit VIII Paneuropian dhe është pjesë e Rrjetit Gjithëpërfshirës Hekurudhor SEETO. Ajo lidh kryeqytetet Tiranë, Shkup dhe Sofje, si dhe Portin e Durrësit në detin Adriatik me portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi. Vazhdimi dhe lidhja e linjës hekurudhore nga Pogradeci në rrjetin hekurudhor të Greqisë parashikohet gjithashtu të zhvillohet.
Përgatitja e këtij studimi është mundësuar nga Komisioni Europian me një grant prej 720,000 eurosh dhënë Shqipërisë nga fondet rajonale të Instrumentit të Paraaderimit (IPA) financuar nëpërmjet Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Qeveria shqiptare ka vendosur të vijojë me zhvillimin e projektit të rehabilitimit të së gjithë linjës hekurudhore dhe për këtë arsye, ka bërë kërkesë së fundmi pranë WBIF për dy grante të tjera asistence teknike.
I pari, për përgatitjen e projektit të zbatimit për segmentin prioritar nga Durrësi në Rrogozhinë dhe i dyti, për përgatitjen e projektit paraprak, analizës kosto-përfitim dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe social të pjesës së mbetur, segmenti hekurudhor nga Rrogozhina – Pogradec, përfshirë ndërtimin e linjës të re 2.8 km që lidh Linin me kufirin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.