Operatorët e kasave ankohen për mungesë bashkëpunimi me tatimet, çka nuk ia ka nxitur ata të investojnë në teknologji. Financat pranojnë planin për dhënien me ofertë të pakërkuar (koncesion) për lotarinë e kuponit tatimor. Letra e Operatorëve: Nuk po pyetemi për lotarinë
Ka qenë një marrëdhënie “tërhiq e mos këput” ajo mes operatorëve të autorizuar të shpërndarjes së kasave fiskale dhe përfaqësuesve të institucioneve qeveritare. Këto të fundit nuk kanë ngurruar t’i akuzojnë operatorët si “bashkëpunëtorë” në malin e lartë të informalitetit, ndërsa për operatorët e kasave ka munguar dëshira për bashkëpunim, sidomos nga tatimet, ndonëse së fundmi, situata vlerësohet se ka ndryshuar për mirë.
“Në fund të vitit të kaluar kërkuam takim në Drejtorinë e Tatimeve në lidhje me shqetësimet që ka për kasat, por takimi nuk u realizua. Ministri i Financave ka gjetur kohë të na presë, por jo drejtoresha e Tatimeve”, pohoi për “Monitor”, z. Ilir Kumbaro, administrator i IVA Elektronic. “Problemet që kanë vetë ua shkarkojnë të tjerëve”, pohon ai. “Serveri që komunikon me kasat ka dy vjet që nxjerr probleme dhe jo çdo problem që ka në komunikim serveri me kasën është për shkak të kasës”, pohon ai. “Duke mos e kuptuar problemin, ata kujtojnë se problemi jemi ne”, vazhdon ai.
Shqetësimi tjetër që ngre ai është që operatorët e autorizuar të kasave janë injoruar lidhur me planin për organizimin e lotarisë së kuponit tatimor. “Është ngritur një komision për lotarinë dhe nuk është marrë asnjë mendim nga ne. Nuk jemi pyetur se çfarë mundësish dhe kapacitetesh kanë operatorët”, thotë ai, duke shtuar se ata i kanë të gjitha kapacitetet për organizimin e lotarisë. “Përderisa ne jemi në treg për çdo problem, që ka të bëjë me kasat, nuk kemi pse injorohemi kur ka një plan për lotarinë e kuponit tatimor”
“Përderisa biznesi ka paguar për kasën, duhet të vazhdojnë të marrin shërbimet përmes tyre”, thotë ai, duke rikujtuar se kasat janë vendosur disa herë, në vitin 1992, vitin 2002, 2007-2008 dhe kur u ndryshuan për herë të fundit në 2010, iu ngarkua operatorëve të autorizuar.
Edhe Bledar Balla, administrator i shoqërisë së autorizuar AE Distribution, pohon se ka pasur mungesë bashkëpunimi me tatimet, çka nuk i ka nxitur as kompanitë të investojnë në teknologji, por ai shton se së fundi, gjërat janë përmirësuar.
Balla vlerëson masat kundër informalitetit. “Çdo gjë që ka të bëjë me zhdukjen e informalitetit është pozitive”, pohon ai, duke shtuar se nuk është vetëm te kasa, por dhe tek elemente të tjera, si mungesa e licencës. “Evazioni nuk është vetëm te kasa, por është te i gjithë sistemi. Por nëse krijon një sistem që nuk lë mundësi shmangie në çdo hallkë mund të luftohet informaliteti”, shton Balla, duke pohuar se zgjidhja është te krijimi i aksionit zinxhir. “Roli i kasës është se detyron tatimpaguesin të përdorë kuponin tatimor dhe në këtë mënyrë fillon e funksion sistemi”, pohon Balla.
Shoqëritë e autorizuara, gati të investojnë në teknologji
Kur u vendos sistemi i kasave në vitin 2007, ai ishte i një teknologjie të avancuar për kohën. Por me kalimin e viteve, teknologjia avancoi me ritme të shpejta, ndërsa operatorët mbetën prapa. Sot, sistemi i transmetimit të të dhënave ende përdor teknologjinë GPRS, që ishte e përparuar për vitin 2007, por jo për 2015-n.
Operatorët pohojnë se mungesa e bashkëpunimit me financat e tatimet ka qenë një nga arsyet që kompanitë nuk janë nxitur të investojnë në teknologji.
“Ne jemi të gatshëm t’i bëjmë investimet në teknologji, por kanë kosto të lartë dhe duhet të amortizohen me numrin e kasave që duhet të shesim”, pohon Bledar Balla, administrator i shoqërisë së autorizuar AE Distribution. “Ne jemi zbatues i misionit që ka qeveria. Kompanitë i kanë mundësitë të bëjnë investimet në teknologji për një mision të caktuar, nëse ka ide të qarta”.
Ai shton se gjithsesi, së fundmi ka filluar bashkëpunimi dhe optimizmi i operatorëve është rritur dhe i kanë çuar propozime Ministrisë së Financave.
“Në dy vjet është bërë analiza e situatës. Tani jemi në një situatë ku ministria, e cila ka punuar për rregullimin e sistemit në përgjithësi kërkon teknologji më të avancuar dhe kompanitë janë të gatshme të përgjigjen. Është gati teknologjia për kasa që kryejnë monitorimin në kohë reale, për interaktivitet me Ministrinë e Financave dhe me përdoruesit fundorë, çka do të mundësonte realizimin e lotarisë tatimore”.
Ai shton se ditët e fundit, bashkëpunimi ka filluar në rrugë zyrtare në mënyrë intensive.
Potenciali, 120 mijë kasa
Deri para nisjes së aksionit anti informalitet, sipas operatorëve të autorizuar, numri i kasave të shpërndara ishte rreth 60 mijë.
Pas dyndjes së bizneseve javët e fundit, numri i tyre ka arritr në rreth 84 mijë, sipas deklarimeve zyrtare.
Ilir Kumbaro i Iva Electronic pohon se në bazë të numrit të bizneseve të regjistruara në vend dhe duke marrë parasysh se jo të gjithë sipërmarrjet janë të detyruara të pajisen me kasa, vlerësohet se potenciali arrin deri në 120 mijë kasa.
Pas QKR, biznesi dyndet edhe për kasat fiskale
Nuk është vetëm Qendra Kombëtare e Regjistrimit që po përballet me fluksin e bizneseve që duhet të regjistrohen, teksa organet tatimore kanë nisur një aksion masiv kundër informalitetit në vend.
Edhe kompanitë e autorizuara për shpërndarjen e kasave fiskale, kanë qenë shumë të zëna ditët e fundit, me bizneset që kërkojnë të blejnë kasa të reja, apo të rregullojnë ato ekzistueset.
Përfaqësuesi i Iva Elektronik pohon se fluksi i bizneseve është pesëfishuar së fundmi, sa që ata e përballojnë me vështirësi. “Më parë i bindnim me vështirësi 20 biznese që të vinin të riparonin kasat, ndërsa tani fillon radha që në 7:00 të mëngjesit”.
Edhe operatorët e tjerë kanë hasur kërkesa të larta nga bizneset. “Sapo kam marrë kuponin për të blerë një kasë fiskale tek AED, por pajisjen do ta marr vetëm pas tre javësh”, pohon Saimiri, që pasi ka regjistruar një aktivitet rrobaqepësi në QKR, tashmë kërkon të pajiset me kasë fiskale.
Burime nga AED pohuan se kanë pasur fluks të jashtëzakonshëm kërkesash, që i ka detyruar të punojnë edhe gjatë gushtit, madje me dy turne. “Nga 300 kasa që shisnim në muaj, vetëm më 1 shtator kemi shitur 300 kasa”.
O.Liperi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.