Rritja e çmimeve të lëndëve të para po rrit kostot e prodhimit. INSTAT raportoi se në tremujorin e tretë të vitit 2021, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 103,2 duke shënuar një rritje me 4,3 % në krahasim me tremujorin e tretë 2020. Indeksi shënoi rritje të fortë edhe me 3-mujorin e tretë 2021, me 1,8 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2021.
Krahasuar me tremujorin e tretë 2020 rritja me e madhe e çmimeve prej 10,7 % vërehet në seksionin “Industri nxjerrëse” pasuar nga seksionet “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar” me 3,6 %.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” ka shënuar rritje me 2,4 %. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Metalurgjia” me 7,8 %, pasuar nga aktivitetet “Pajisje të tjera transporti” me 4,4 %, “Prodhimi i produkteve të kauçukut dhe plastikës” me 3,9 % etj.
Nga ana tjetër, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 3,0 %, pasuar nga seksionet “Prodhimi i pajisjeve elektrike” me 1,5 %, “Prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 1,3 % etj.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për tregun vendas krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, shënoi rritje me 3,3 %. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Industri nxjerrëse” me 8,5 %, pasuar nga seksioni “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar” me 2,7 %, seksioni “Industria Përpunuese” me 2,3 % dhe seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,3 %.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, shënoi rritje prej 7,1 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 42,3 % është shënuar në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar”, pasuar nga seksioni “Industri Nxjerrëse” me 18,7 %, seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 13,2 % dhe seksioni “Industria Përpunuese” me 2,0 %.
Krahasuar me tremujorin e dytë 2021 rritja më e madhe prej 7,8 % vërehet në seksionin “Industri Nxjerrëse”. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit, në seksionin ”Industri Përpunuese” ka shënuar rritje me 1,3 %. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Pajisje të tjera transporti” me 4,8 %.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.