Intervistë me Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës
Shqipëria mund të konsiderohet si një treg jashtë kufijve të rinj të pranuar të rrezikut, të vegjël për të siguruar ekonomi shkalle. Elvin Meka, dekan i Fakultetit të Ekonomisë në UET, thotë se për këtë arsye, shumë grupe bankare i vlerësojnë Bankat e Shqipërisë dhe rajonit si investime të shtrenjta dhe të kushtueshme për t’u mbajtur në portofol.
Sipas tij, nëse do të ketë hyrje të bankave të reja në tregun shqiptar, gjasat janë që këto banka të jenë nga vendet e rajonit. Z. Meka mendon se konteksti rregullator është vetëm njëri aspekt; tjetër aspekt sfidues për tregun e brendshëm shqiptar është edhe tendenca demografike, që përkthehet në perspektivë klientele dhe që në momentet aktuale po përjeton trysni të madhe dhe prirje rënëse.
Pse grupet e rëndësishme bankare të Eurozonës po vazhdojnë të shesin filialet e tyre në Shqipëri (e fundit Alpha Bank)?
Në krye të herës duhet pohuar se kjo nuk ka të bëjë integralisht dhe totalisht me Shqipërinë, apo tregun shqiptar në vetvete, por është një lëvizje, deri diku, rajonale dhe europiane. Kjo është e nxitur nga një sërë faktorësh, që lidhen me demografinë, ripozicionimin strategjik në treg, sfidat e dixhitalizimit dhe patjetër, me sfidën e miradministrimit të rreziqeve dhe sigurimit të kthimeve të shpresuara dhe të synuara.
Gjithsesi, parë në këtë këndvështrim, dhe përtej strategjive makro, tregje si Shqipëria mund të konsiderohen si jashtë kufijve të rinj të pranuar të rrezikut, disi të vegjël për të siguruar ekonomi shkalle (scale) dhe produkti (scope), e rrjedhimisht përfundojnë në vlerësime si investime të shtrenjta dhe të kushtueshme për t’u mbajtur në portofol. Nga ana tjetër, kjo lidhet edhe me klientët apo investuesit e vendit të origjinës të bankës, të cilët mund të kenë ripozicionuar vetveten në tregun shqiptar dhe nuk gjenerojnë nivelin e pritshëm të biznesit për bankat.
Në këndvështrimin tuaj, a janë sot bankat një investim i mirë dhe cilët mund të jenë investuesit më të interesuar aktualisht për të blerë?
Investimi në biznesin bankar nuk është si gjithë të tjerët dhe i zakonshëm, pavarësisht faktit se në finale ato sillen, vlerësohen dhe ndërveprojnë në treg si në çdo biznes tjetër. Kjo pasi, së pari, dhe në themel, ato janë institucione besimi dhe me ndikim shumë të madh në publik. Kjo i bën ato biznese shumë të veçanta, tejet të mbikëqyrura, të rregulluara, të kontrolluara e të monitoruara, por njëkohësisht dhe shumë elitare e me ndikim të fortë në ekonomi dhe vetë zhvillimin e saj.
Me përjashtime, më pak sesa gishtat e një dore, në të gjithë botën sektori bankar është dominant në ndërmjetësimin financiar, ofrimin e shërbimeve financiare dhe menaxhimin e aktiveve financiare. Si të tilla, investimi në veprimtarinë bankare, më shumë sesa një investim i mirë mbetet një investim strategjik, afatgjatë dhe me shumë përgjegjësi për aksionerët që vendosin të angazhojnë kapitalet e tyre në të. Nga këndvështrimi i investuesve, apo i subjekteve që mund të kenë interes për të blerë aktualisht, bankat që mund të dalin në shtije, do t’i grupoja në dy grupe: (1) bankat ekzistuese, që kanë synim dhe ambicie për zgjerim dhe shtrirje të mëtejshme të veprimtarisë së tyre në treg, dhe (2) grupet e fuqishme të biznesit shqiptar.
Nëse interesi i grupit të parë nuk përbën ndonjë lajm të veçantë, patjetër që interesi i grupit të dytë tërheq vëmendjen. Sigurisht që grupet e fuqishme shqiptare të biznesit duket se janë dhe më të interesuarit, ndoshta për arsye diversifikimi dhe për sigurim të eficiencës së financimit dhe krijimit të sinergjive të nevojshme, brenda veprimtarisë komplekse të biznesit të tyre. Së fundi, nuk mund të përjashtohet dhe ndonjë hyrje e re, apo bankë e huaj, por nëse kjo ndodh, probabiliteti më i madh mund të ishte nga vendet e rajonit dhe shumë pak nga vendet e mëdha europiane.
Cilat janë faktorët që përcaktojnë çmimin e tregut të një banke tregtare?
Ekzistojnë shumë faktorë që përcaktojnë çmimin final me të cilën shitet (apo blihet një bankë). Këta faktorë përfshijnë që nga ata klasikë makroekonomikë, deri tek ata politikë (politikat e ndryshme qeveritare), veprimtaria mbikëqyrëse dhe rregullative e Bankës Qendrore, si dhe faktorët e natyrshëm që lidhen me biznesin e bankës, të tilla si: përfitueshmëria, kapitalizimi, cilësia e aktiveve, raporti i levës financiare, raporti i NPL-ve, madhësia e bankës (pjesa e tregut), kosto e financimit, baza dhe natyra e klientelës nga të dy krahët e bilancit, specializimi sektorial, avantazhet konkurruese specifike.
Sa e ka ndikuar kriza e gjatë financiare që nisi në vitin 2008 çmimin e tregut të bankave tregtare shqiptare?
Kriza e globale ekonomiko-financiare e vitit 2007-2008 ndikoi më fort se kurrë mbi veprimtarinë bankare, në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë, kudo në botë. Kjo për faktin se për bankat, ajo u shoqërua dhe me rritje të rrezikut reputacional, pavarësisht se në jo pak raste, rritja e këtij rreziku ishte e padrejtë. Ndër masat më të rrepta, të ndërmarra nga qeveritë dhe autoritetet rregullatore monetare, në kuadër të daljes nga kjo krizë, ishin ato që u imponuan ndaj sektorit bankar, konkretisht paketa e rregullave dhe masave që lidhen me Bazel III dhe Bazel IV, përkatësisht në vitet 2009 dhe 2017.
Këto paketa rregullash dhe standardesh kanë synuar ta bëjnë banking-un një veprimtari më të sigurt dhe më pak krizë-gjeneruese, por e kanë shndërruar veprimtarinë bankare në një sipërmarrje të vështirë dhe të shtrenjtë. Sigurisht, edhe nëse flasim për realitetin shqiptar, ai nuk mund të bëjë përjashtim nga këto rregulla e standarde, pra dhe banking-u shqiptar është bërë një veprimtari më e shtrenjtë në operim, duke ndikuar, si në gjithë botën, në çmimin e vetë bankave tregtare.
Gjithsesi, konteksti rregullator është vetëm njëri aspekt; një tjetër aspekt sfidues për tregun e brendshëm shqiptar, për të cilin bankat janë shumë të vëmendshme, është dhe demografia (që përkthehet në perspektivë klientele), e cila në momentet aktuale po përjeton trysni të madhe dhe prirje rënëse.
E shihni të mundur që një bankë shqiptare, në momentin që flasim, të shitet me fitim për aksionerët, pra, me një çmim për aksion më të lartë se vlera nominale?
Përvoja e deritanishme ka treguar disa herë se, bankat në Shqipëri janë shitur me fitim për aksionerët ekzistues, e madje vlera e tyre është rritur qëndrueshëm në vijim. Patjetër që në çmimin final të një banke ndikojnë të gjithë faktorët e sipërpërmendur dhe treguesit e përfitueshmërisë së 1-2 viteve të fundit nuk mund të jenë përcaktues final të çmimit të saj, pasi vlerësimi i vlerës së një banke lidhet me një mori elementësh kyç, që të agreguar së bashku, nxjerrin vlerën e drejtë që ka një bankë në treg për aksionerët e rinj të saj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.