Të ardhurat operative të klubeve kryesore europiane janë rritur, kryesisht falë aktiviteteve komerciale, pavarësisht kostove në rritje të personelit.
Këto tendenca theksohen në raportin e “The European Champions Report 2019”, të publikuar nga “Football Benchmark team” të KPMG.
“Futbolli po kalon një fazë të rëndësishme ndryshimi nga pikëpamja e biznesit. Klubet e futbollit po shndërrohen në marka të vërteta globale, duke tërhequr një audiencë nga e gjithë bota” – tha Andrea Sartori, Global Head of Sports në KPMG dhe lider i Football Benchmark team.
Edicioni i tretë i raportit krahason disa prej treguesve më të rëndësishëm të ecurisë së korporatave të kampionëve të tetë ligave më të rëndësishme në Europë në sezonin 2017/18: FC Barcelona, FC Bayern München, FC Porto, Galatasaray SK, Juventus FC, Manchester City FC, Paris Saint-Germain FC e PSV Eindhoven.
Pikat kryesore të raportit
- Barcelona regjistron të ardhurat më të larta operative, 689 mln euro ndër tetë klubet kampione europiane, ndjekur nga Bayern München (596 mln euro) e Manchester City (568 mln euro).
- Galatasaray regjistroi rritjen më të madhe të të ardhurave operative në bazë vjetore (+ 19%), ndjekur nga Paris Saint-Germain (+ 12%).
- Të ardhurat tregtare përfaqësojnë një burim të rëndësishëm fitimesh për 6 nga 8 klube kampione të kampionateve respektive europiane.
- Barcelona regjistroi 562 milionë euro në kosto për personelin, me rritjen më të lartë me bazë vjetore (+ 42%), duke regjistruar një raport shpenzime personeli / të ardhura 81%. (+ 19% në bazë vjetore).
6 nga 8 klube regjistruan rritje të të ardhurave operative. Përjashtim bën Juventus dhe PSV Eindhoven: të ardhurat e bardhezinjve u reduktuan me 2%, kryesisht për shkak të fitimeve më të ulëta në kompeticionet e UEFA-s, ndërsa PSV Eindhoven mori një goditje të rëndë, një rënie me 28% për shkak të mospjesëmarrjes në fazën finale të një kompeticioni europian, pas eliminimit në raundin e 3-të kualifikues të Europa League 2017/18 ndaj kroatëve të Osijek.
Të ardhurat tregtare përfaqësojnë burimin e fitimeve me ndikimin më të madh në qarkullimin total të gjashtë prej tetë klubeve kampione europiane, me përjashtim të Juventus dhe Porto, që megjithatë, pavarësisht se të ardhurat nga të drejtat televizive kanë pasur impaktin më të madh, regjistruan rritjen më të madhe me bazë vjetore sa u përket të ardhurave komerciale (respektivisht + 21% e + 43%)
Ndërkohë, edhe në kosto, tendenca është në rritje. Pjesa më e madhe e klubeve kanë rritur shpenzimet për personelin, shpenzimet kryesore për një klub futbolli. Barcelona regjistroi 562 milionë euro në kosto, rritja më e madhe me bazë vjetore (+ 42%), ndërkohë shpenzimet e PSG arritën në 332 mln euro (me rritje + 20%).
Barcelona, me 81%, regjistron raportin më të lartë kosto personeli / të ardhura operative (19% me bazë vjetore), ndërsa Bayern Munchen regjistron raportin më të ulët ndër këto klube (8%). Në këtë aspekt, tre klube kapërcyen kufirin (70%), një parametër që monitorohet nga UEFA (Barcelona 81%, Porto 80% dhe Galatasaray 71%).