Për shkak të pandemisë, klubet euopiane kanë humbur 6.1 miliardë euro. Kjo shkruhet në raportin e përvitshëm të Football Benchmark të KPMG, i cili regjistron një rënie prej 15% në Vlerën e Sipërmarrjes së klubeve kryesore të kontinentit, në 33.6 miliardë këtë vit.
Për herë të parë në raportin vjetor, “Football Club’s Valuation: The European Elite 2021”, të KPMG, Enterprise Value (Vlera e Sipërmarrjes – EV) totale e 32 klubeve kryesore europiane të futbollit ka rënë me 15% (-6.1 miliardë euro në terma absolutë) në 33.6 miliardë euro, nga 39,7 miliardë euro në janar 2020.
Megjithatë, pavarësisht rënies me 15% të EV, kryesisht e shkaktuar nga pandemia, EV totale e 32 klubeve është rritur me 27% që nga edicioni i parë i 2016-s deri më tani.
Vlera e Sipërmarrjes së kompanive u vlerësua nga KPMG nëpërmjet një shume algjebrike midis vlerës së tregut të kapitalit (ose pasurisë neto) plus borxheve totale financiare dhe më pak parave të gatshme. Vlera llogaritet duke nisur nga të ardhurat operative, qarkullimi, duke përjashtuar fitimet e kapitalit (plusvalencat) nga merkato e futbollit.
Të ardhurat nga të drejtat televizive dhe ndeshjet e ditës u goditën më shumë nga pandemia, ndërsa të ardhurat komerciale u rritën lehtë, falë, mbi të gjitha, marrëveshjeve të firmosura para fillimit të krizës shëndetësore. Ndikimi i pandemisë është i dukshëm edhe në fitimin neto të klubeve. Vetëm 7 nga 32 klube regjistruan fitim neto, krahasuar me 20 klube që regjistruan fitim neto një vit më parë.
Real Madrid ruan kryesimin si klubi i futbollit me vlerën më të lartë (2.909 miliardë euro) për të tretin vit me radhë. Të ardhurat totale operative janë rritur me 18% që nga 2014/15, drejtuar nga rritja me 43% të të ardhurave komerciale në 5 vitet e fundit.
Barcelona, për herë të parë në klasifikimin e përvitshëm të EV renditet në vend të dytë, duke lënë pas Manchester United. Vlera e Sipërmarrjes së Barcelonës është 2.869 miliardë euro, me 40 mln diferencë nga Real Madrid. Dy vjet më parë, në edicionin e vitit 2019, klubi nuk mundi të futej në podium, por falë rritjes së të ardhurave operative dhe përmirësimit të raportit mes kostove të personelit dhe të ardhurave, klubi fitoi vendin e tretë në 2020. Pandemia ka theksuar brishtësinë e modelit të biznesit të klubeve.
Manchester United renditet në vend të tretë, Vlera e Sipërmarrjes të klubit është 2.661 miliardë euro, në rënie me 20% krahasuar me 2020.
Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, kur Vlera e Sipërmarrjes së tre klubeve u rrit (Los Blancos, 8%; Blaugrana 19% dhe Red Devils, 4%), këtë vit, klubet pësuan rënie të EV përkatësisht me 16%, 10% dhe 20%.
Bayern Munchen, jashtë podiumit, në vend të katërt. Në katër skuadrat e para mungojnë dy klubet angleze, finaliste në Champions League 2020/21, Manchester City dhe Chelsea, përkatësisht në vend të gjashtë dhe të shtatë. Klubi i parë italian që shfaqet në klasifikim, është Juventus, në vendin e 10.
Në renditjen e dhjetë klubeve me Vlerën më të lartë të Sipërmarrjes shihen tre ndryshime. Pas Barcelonës, në vendin e dytë, Paris Saint – Germain FC u ngjit në pozicionin e tetë, duke i zënë vendin Tottenham Hotspur FC, ndërkohë Juventus u rikthye në Top 10, duke i zënë vendin e Arsenal FC – The Gunners kanë humbur 6 pozicione që kur ka nisur klasifikimi i klubeve europiane të KPMG.
80 klube, duke përfshirë gjigantët europianë të futbollit, të cilët kanë publikuar rezultatet financiare, regjistruan një humbje neto totale prej 2.04 miliardë eurosh.
Në terma të shpërndarjes së vlerës, 3 dhe 10 klubet e para ruajnë përkatësisht 25% dhe 67% të Vlerës së Sipërmarrjes së përgjithshme, në linjë me raportin e fundit, por më e ulët krahasuar me edicionin e parë të KPMG në 2016, kur EV ishte përkatësisht 32% dhe 70%.
Në edicionin e vitit 2021 ka tre hyrje të reja; Atalanta BC, Olimpique de Marseille dhe Fenerbahçe SK, të cilat u zënë vendin Athletic Club Bilbao, Besiktas dhe West Ham. Mungon kampionia e Francës, Lille.
Përfaqësimi i pesë kampionateve kryesore mbetet i njëjti, me 27 nga 32 klubet kryesore. Pesë klubet që nuk bëjnë pjesë në Big-5 (nga Portugalia, Turqia dhe Holanda) zënë vetëm 5% të Vlerës së Sipërmarrjes totale, në linjë me edicionin e kaluar.
Në nivel kampionatesh, pavarësisht humbjes së një klubi, Premier League angleze dominon, me 8 klube nga 32, me 39% të vlerës totale. La Liga spanjolle ruan pozicionin e dytë për EV totale, edhe pse me një klub më pak krahasuar me një vit më parë. Bundesliga gjermane dhe Seria A italiane kanë të njëjtën peshë në EV totale (13%), por ndërkohë që Bundesliga përfaqësohet me vetëm 3 klube, Seria A përfaqësohet me 7 klube në Top 32.