Ndryshimet ligjore që zvogëluan “barrierat” për t’u pajisur me leje pune, realizimi i disa investimeve, por edhe vështirësitë financiare që po kalojnë vendet fqinje e kanë bërë vendin tonë si një “strehëz” gjithmonë të gatshme për të mirëpritur të huajt.
Nga Elona Bedalli
Përtej vështirësive ekonomike që po kalon vendi, nivelit të papunësisë veçanërisht te të rinjtë, Shqipëria vazhdon të tërheqë një numër jo të vogël të huajsh. Statistikat tregojnë se për periudhën janar-shtator (të dhënat e fundit nuk janë përpunuar ende) të këtij viti, numri i të huajve që punojnë në vendin tonë u llogarit në 1,650, shifër e cila nuk ka ndryshuar pothuajse fare në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, nga zyrtarët e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, tendenca parashikohet në rritje për tremujorin e fundit të vitit.
Por, “joshja” e Shqipërisë kundrejt të huajve i ka kaluar kufijtë e vendit. Mediat e shteteve fqinje si Italia e Greqia shkruajnë për këtë fenomen të ri të “emigracionit” të anasjellë siç e quajnë atë. Pak kohë më parë, e përditshmja italiane “La Reppublica”, botoi një artikull me titullin: “Emigrantët, tani jemi ne”, ndërsa së fundi është e përditshmja greke “Ekathemerini” që botoi shkrimin “Grekët në Shqipëri, në kërkim të punës” e ku përshkruhet sesi grekët paguhen 40 euro në ditë. Arsyeja? Tregu shqiptar i punës, sipas ekspertëve është ende i etur për profesionistë, për njerëz të kualifikuar në profesione të vjetra, por edhe në ata sektorë që për ne nuk kanë qenë traditë ose për shkak të zhvillimit të vrullshëm që ka marrë teknologjia. Por, le të shohim se si është konfiguruar ky segment i burimeve njerëzore, çfarë ka ndryshuar me një vit më parë?
Italianët “zëvendësojnë” kinezët
Sipas statistikave të Drejtorisë së Politikave të Migracionit, Kthimit dhe Integrimit pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për periudhën janar-shtator 2013, numri i të huajve arriti në 1,650, nga të cilët rreth 44% (742) janë pajisur për herë të parë me leje pune. Drejtoresha e kësaj drejtorie, Silvana Banushi, thotë se numri i të huajve është rritur ndjeshëm, pasi favorizohet jo vetëm nga procedurat e thjeshta për marrjen e lejeve (kjo falë edhe rishikimit që iu bë në maj të këtij viti ligjit për “Të huajt” si kërkesë e BE-së), por edhe për shkak të krizës financiare që ka mbërthyer Europën, veçanërisht vendet fqinje, si Greqia e Italia.
Ata që zgjedhin Shqipërinë në përqindjen më të madhe kanë statusin e punëmarrësit (1421 leje pune), shifër kjo e cila është rritur me 12% në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në vend të dytë kemi kategorinë e të vetëpunësuarve (181 leje) me rritje në masën 2% në krahasim po me janar-shtatorin 2012, ndërsa investitorët renditen në vendin e tretë. Lejet e punës për këtë kategori vlerësohet se kanë pësuar një ulje të lehtë. Sipas znj. Banushi, krijimi i regjistrit elektronik për të huajt (moduli E-leje pune) ka rritur mundësinë e monitorimit dhe menaxhimit të shtetasve të huaj në Shqipëri dhe kjo ka lehtësuar kryerjen e studimeve për ndikimin që kanë të huajt në ekonomi. Megjithatë, të huajt që punojnë në Shqipëri përbëjnë një forcë pune pothuajse të pandjeshme ndaj totalit, edhe pse numri i tyre është në rritje.
Në vitin 2012, numri i të huajve u rrit me 8% me bazë vjetore duke arritur në 2,500 përkundrejt 2,300 lejeve që u dhanë në vitin 2011, ndërsa në vitin 2008 ishin 1,200 të huaj që punonin me leje të rregullta pune.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Migracionit, numri më i madh i të huajve që punojnë në Shqipëri vjen nga Turqia, duke zënë rreth 34% ndaj totalit ose 558. Ata janë kryesisht të përqendruar në sektorë si tregtia, por edhe telekomunikacioni. Ndryshe nga një vit më parë, në vend të dytë nuk janë kinezët, por fqinjët tanë italianë, të cilët për periudhën janar-shtator 2013 zinin 10% të totalit me 163 leje pune. Pas tyre vijnë fqinjët tanë jugorë, që përbëjnë 8.3% ndaj totalit me 138 leje pune (numri i lartë i grekëve përkon edhe me periudhën kur përfundoi një pjesë e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan nga firma “Aktor”.
Bie në sy fakti se ka rënë ndjeshëm numri i shtetasve kinezë, të cilët gjatë 9-mujorit 2013 zinin vetëm 5.2% të totalit (87 leje pune), kjo shpjegohet me rënien që ka pësuar sektori i ndërtimit i cili punësonte më shumë këtë kategori për shkak të kostos së ulët të krahut të punës.
Shqiptarët e Kosovës që punojnë në tokën “mëmë” janë pothuajse të barabartë në numër me ata kanadezë (sektori i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës), duke zënë përkatësisht 7% të totalit, duke u pozicionuar kështu pas atyre grekë.
Për sa u përket ardhjeve nga rajoni i Ballkanit, sipas të dhënave vihet re se numri i shtetasve maqedonas llogaritet në 50. Numri i serbëve që punojnë në Shqipëri vazhdon të jetë në rënie të ndjeshme, duke u llogaritur në vetëm 13, e madje duke qenë një shifër edhe më e vogël se ajo që përkon me shtetasit rusë të ardhur në Shqipëri për të punuar (19).
Interesant është fakti se ndryshe nga dy vjet më parë, kur numri i shtetasve filipinas u rrit ndjeshëm, për periudhën janar-shtator 2013 ka rënë në 18, ndërsa është rritur numri i shtetasve egjiptianë. Kriza ekonomike duket se i ka detyruar të pasurit shqiptarë që të heqin dorë përkohësisht nga punësimi i filipinasve që punojnë kryesisht në mirëmbajtjen e shtëpive, pasi kanë kosto më të ulët se vendasit ose t’i mbajnë ata në të zezë.
Hidrocentralet joshin të huajt, por në “top-listë” hyjnë edhe minierat
Sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Migracionit vihet re një rritje e numrit të shtetasve të huaj që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, apo që janë të punësuar pranë kompanive po me pronësi të huaj. Numri i lejeve të punës i krahasuar për të njëjtën periudhë midis dy viteve të fundit është pothuaj i njëjtë (1,652 leje të dhëna në 2012-n kundrejt 1650 leje të dhëna në 2013-n).
Duke marrë për bazë zhvillimin e aktivitetit ekonomik, sektorët më të preferuar për periudhën 9-mujore janë: ndërtimi me 367 leje pune ose rreth 22.2% e totalit dhe tregtia e riparim automjetesh me 202 leje pune ose 12.2% e totalit. Vihet re një kërkesë në rritje për sektorin e industrisë përpunuese, e cila për këtë periudhë zuri 11% të totalit. E veçanta e këtij viti është rritja në mënyrë të ndjeshme e punësimit të të huajve në sektorin miniera dhe gurore, që u llogarit në 11% ndaj totalit, e ndjekur nga sektori i informacionit dhe komunikacioni, me 122 leje pune, ose 7%.
Ndërkohë që në 9-mujorin e vitit 2012, në vend të parë ishte tregtia dhe riparimi i automjeteve, me 255 leje pune, dhe në vendin e dytë ndërtimi me 238 leje pune. Specifikë për sektorin e ndërtimit në këtë 9–mujor është se nuk bëhet fjalë për ndërtim banesash, por ndërtime dhe rikonstruksione të akseve rrugore, si dhe ndërtime veprash të mëdha siç janë hidrocentralet.
Tirana mbetet qyteti që strehon numrin më të madh të të huajve me 48%, shifër kjo që nuk ka ndryshuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2012. Në “hartën” e preferencave kryesore gjatë vitit 2013 vazhdojnë të jenë qytete si Fieri, Elbasani, Durrësi e Shkodra, ndërsa “futje” e re është Lezha, e cila ka llogaritur rreth 10% të totalit.
Sipas drejtoreshës së Migracionit, Silvana Banushi, duke iu referuar “tipit të lejes së punës” vihet re tendencë në rritje e shtetasve me statusin e punëmarrësit, që përbëjnë numrin më të madh të të huajve të punësuar, por edhe të të vetëpunësuarve dhe atyre që transferohen nga ndërmarrja mëmë (dominojnë punëmarrësit me 11% rritje, po kështu shihet edhe një rritje e lehtë për të vetëpunësuarit në masën 2%). “Dominojnë punëmarrësit që punojnë në sipërmarrjet private me pronësi të huaj. Sektorë të veçantë të ekonomisë preferojnë të marrin punonjës të huaj për kategori pune të ndryshme. Një pjesë i preferon për nivelin e aftësive të munguara të punonjësve shqiptarë, kryesisht në fushën e industrisë nxjerrëse dhe energjetikës, ndërsa pjesa tjetër për krahun më të lirë të punës”, thotë znj. Banushi.
Numri i femrave të huaja, që vijnë për të punuar dhe për të jetuar në Shqipëri, vazhdon të jetë tepër i ulët. Nga të dhënat, vihet re se lejet e punës janë dhënë më së shumti për meshkujt 1,462 përkundrejt (188) për femrat.
Ekspertët e migracionit thonë se për shkak se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë atraktive për të huajt në një kohë krize, pritet që të shënohet rritje e numrit të shtetasve të huaj që do të kërkojnë të pajisen me leje pune, kryesisht për kategorinë e punëdhënësve, të punëmarrësve, për profesionet e larta dhe të vetëpunësuarve.
Mediat e huaja
Mediat italiane e ato greke së fundi po vënë në dukje një fenomen që dikur ishte “ekskluzivitet” vetëm i yni, emigrimin. Ato sjellin shembuj sesi italianë apo grekë po rendin në Shqipëri në kërkim të një pune, që u garanton atyre shpesh të ardhura më të larta. Më poshtë janë artikujt e dy të përditshmeve prestigjioze.
Ligji që i favorizoi
Një nga faktorët që ka ndikuar në rritjen e numrit të të huajve janë padyshim edhe ndryshimet radikale që pësoi në muajin maj ligji “Për të huajt”. Një ndryshim i shpejtë, i cili hodhi “poshtë” pa shumë vështirësi atë ekzistuesin që u miratua në korrik të vitit 2008. Ishte Komisioni Europian ai që artikuloi nevojën për ndërhyrjen e menjëhershme në ligj, pasi siç shprehen ekspertët në rekomandime: “Zbatimi i ligjit mbi të huajt kishte nxjerrë në pah disa probleme, për të cilat ose nuk ishin parashikuar zgjidhje, ose ato nuk ishin të përshtatshme me realitetin”. Në këtë mënyrë, ligji shqiptar nuk ishte në linjë me “acquis”. E në bazë të ligjit të ri (neni 72 pika a, neni 147 pika 2), shtetasit e një prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe zonës “Shengen” përjashtohen nga detyrimi për pajisje me leje pune. Sipas të dhënave zyrtare për këta shtetas është dhënë vërtetim përjashtimi nga detyrimi, më saktësisht: në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit janë pajisur me vërtetime 184 shtetas të huaj; në atë të Tiranës 247 shtetas; të Vlorës 15 shtetas të huaj; të Durrësit janë pajisur 11 shtetas dhe në Korçë janë pajisur me vërtetime 6 shtetas të huaj. Pra, për këtë 9–mujor u lëshuan gjithsej 463 vërtetime. Po cili ishte thelbi i këtyre ndryshimeve? Rekomandimet bënë të ditur se Shqipëria, në ligjin e saj, duhet të siguronte që për shtetasit e BE-së të mos zbatohet asnjë skemë për lejet e punës dhe se punëtorët e vendeve të BE-së (përfshi këtu edhe ata të zonës “Shengen”) duhet të kenë të drejtë të qëndrojnë në vendin tonë dhe të gëzojnë të njëjtat avantazhe sociale si shtetasit shqiptarë. Nga ana tjetër, legjislacioni duhet t’u jepte të drejtë anëtarëve të familjes së punëtorëve emigrantë të punësohen pa nevojën për t’u pajisur me leje pune dhe fëmijëve të drejtën për t’u pranuar në institucionet arsimore në të njëjtat kushte si shtetasit shqiptarë.
Në këtë mënyrë, u shpreh qartë aksesi pa asnjë kufizim i qasjes në tregun shqiptar të punës i shtetasve të BE-së dhe Zvicrës. Gjithashtu kjo parashikohet edhe për vendet e tjera, ndër to edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga ana tjetër, duhet pasur parasysh fakti se me ligjin e vjetër në Shqipëri nuk lejohej që një i huaj të merrte leje të përhershme, por për një periudhë deri në 5 vjet. Nga ky rregull ishin përjashtuar disa kategori, si përfaqësues të trupit diplomatik, organizatat joqeveritare, ato fetare e drejtues institucionesh private, apo ekspertë, të cilët mund të punojnë në Shqipëri. Ligji i ri ruajti në formë dhe renditje organizimin strukturor të atij ekzistues, u pasuruar nga legjislacioni i BE-së, ndërsa ka huazuar dhe nga vende si Danimarka, Finlanda, Norvegjia, por veçanërisht nga ai i Kroacisë.
Në bazë të këtij kuadri ligjor çdo vit (më saktësisht në muajin shtator), shteti shqiptar vendos kuota për të huajt që do të punësohen në vendin tonë.
Sa i përket hyrjes dhe qëndrimit në Shqipëri, me ligjin e ri kriteret janë përafruar me ato të zonës “Shengen”, ndërsa përcaktohen përmirësime edhe për kategori të veçanta, si: marinarët, pilotët apo punonjësit e hekurudhave. Për herë të parë u përcaktua edhe kushti i moslejimit të hyrjes në territorin e vendit për debitorët ndaj masave administrative të përcaktuara. Në ligjin e mëparshëm, ky përcaktim mungonte, ndërsa zbatohej në praktikë. Në nenet që rregullojnë hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e Shqipërisë është shtuar edhe një seksion i veçantë lidhur me dokumentet e udhëtimit për të huajt, duke njohur për herë të parë edhe “pasaportën e grupit”, kjo sipas standardeve të BE-së dhe rekomandimeve të dhëna.
Për shtetasit e BE-së apo edhe vendeve të tjera, në ligj është garantuar që në një moment të caktuar, pa pasur nevojë për ndërhyrje ligjore, por bazuar në reciprocitet, qëndrimi të jetë i barabartë me atë të shtetasit shqiptar, pra pa kushtëzim 90 ditë për 180 ditë.
Për shtetasit e huaj është hequr edhe detyrimi 30-ditor për t’u regjistruar pranë drejtorive përkatëse kufitare, çka i jep atij mundësi për zgjedhje të tjera alternative.
Për herë të parë, Shqipëria në legjislacion parashikoi edhe lejet e qëndrimit për ata persona që janë “tepër të kualifikuar”, por edhe për punonjësit “stinorë”, për shërbimet vullnetare, rinore, kërkuesit shkencorë, për të trajnuarit pa pagesë dhe marinarët.
Në të garantohen edhe mundësinë e bashkimit familjar edhe për ata të huaj që bashkëjetojnë, si dhe i jep mundësinë çdo të huaji që është rezident në Shqipëri të kërkojë bashkim familjar. Në ligjin e mëparshëm këtë të drejtë e kishin vetëm ata të huaj që kishin qëndruar në Shqipëri për jo më pak se një vit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.