Kreativiteti në epokën e punës “së lëvizshme”

13/11/2020 10:04 PM 0 komente

Flet Gerton Bejo, Bashkëthemelues i “Vatra Agency”

 

Siç edhe më parë, ngjarje të rëndësishme në histori, kanë prodhuar ndryshime të mëdha, pandemia e Covid-19, ndër të tjera, ka ndryshuar thellësisht edhe natyrën e marrëdhënies me punën dhe mënyrën e të punuarit në vetvete.

Zhvendosja e punës nga zyra në shtëpi, turne, ose ambiente të tjera jashtë zyrës, ka ekzistuar dhe përpara kësaj pandemie, por përhapja masive që mori në të njëjtën kohë në të gjithë botën, këtë herë duket se ka ardhur si një formë që do të qëndrojë gjatë edhe në të ardhmen.

Ngjarje të tilla, me impakt të jashtëzakonshëm social dhe ekonomik, orientojnë gjithashtu drejt mbylljes së disa tregjeve dhe hapjes së disa të tjerave. Edukimi online, fitnese online, e-commerce, edukimi shëndetësor online etj., lulëzuan së bashku me punën remote në industri të ndryshme. Industria e komunikimit mbetet ndër ato industri që jo vetëm reziston, por përforcohet në kushtet e reja.

Në fillim, përshtatja ka qenë e vështirë, pasi shumë kompani nuk kishin një përvojë të mëparshme të punës remote dhe nuk kishin protokolle dhe mjete të gatshme për ta bërë atë funksionale. Gjithashtu, funksionimi nën stresin e pandemisë dhe frika për të nesërmen, krijuan një situatë edhe më të vështirë: shumë njerëz që humbën jetën, familjarë të sëmurë, shkollimi i fëmijëve online, frika për humbjen e punës/biznesit dhe mbyllja në shtëpi, krijuan një kontekst mjaft stresues për të pasur eficencën e duhur. Pavarësisht arsyeve se përse kjo metodë u imponua në mënyrë të menjëhershme dhe globale, kompanitë zbuluan benefitet e saj për zvogëlimin e kostove për vetë punëdhënësit, por dhe rritjen e përfitimieve financiare për punëmarrësit.

Çfarë impakti ka krijuar ky ndryshim i befasishëm në produktivitetin në punë?

Nga përvoja me stafin e agjencive tona, gjatë periudhës së pandemisë shumë sjellje dhe procese të punës dhe komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm ndryshuan natyrshëm e janë bërë pjesë e jona edhe pas kthimit në zyrë.

Disa nga ndryshimet e vëna re gjatë kësaj periudhe:

  1. Produktiviteti është shtuar, sepse konteksti i ri ka provokuar nevojën për të provuar gjëra të reja, mendime të reja dhe ka nxitur të menduarin ndryshe, sjelljen e risive për zgjidhje në situata të panjohura.
  2. Gjatë punës në shtëpi, çdo punonjës përshtat axhendën e tij të ditës, gjë që u ka dhënë atyre një sens lirie në punë, por gjithashtu përgjegjësie edhe më të madhe.
  3. Një gatishmëri më e madhe për ta ruajtur vendin e punës në kohët e vështira, ku shumë njerëz në botë humbën atë.
  4. Një zbehje e aftësive sociale, por shtim i ndjenjës së empatisë.
  5. Riorientim në zhvillimin personal, për t’u mbijetuar kushteve të reja.
  6. Fokusi është kthyer te gjërat prioritare për t’u zgjidhur. Mbledhjet janë më të shkurtra online (ose me më pak të pranishëm në sallë) dhe vëmendja kthehet te çështjet më thelbësore.
  7. Në gjithë këtë realitet të ri, roli i teknologjisë mbetet më i rëndësishmi në funksionimin me eficencë të punës remote, ndaj nevojitet investim në teknologji (në aftësi dhe pajisje).
  8. Pasi çdo gjë duket se është riformatuar, ka një gjë që mbetet jo vetëm e pandryshueshme, por që merr një vlerë të shtuar në kontekstin e ri në industrinë tonë: talenti dhe krijimtaria.

Pikërisht pika e fundit është thelbi i industrisë sonë. Nëse buxhetet dhe komunikimet ndryshojnë, marrin shifra dhe forma të ndryshme në kohë të ndryshme, burimet njerëzore që sjellin ide dhe aplikojnë zgjidhje kreative nuk zëvendësohen dot nga robotët dhe risitë dixhitale.

Shfrytëzimi në formën e duhur dhe efikase i këtyre talenteve dhe kreativitetit që ato sjellin në industrinë e marketingut në realitetin e ri të punës remote, do të jetë sfida më e rëndësishme e agjencive të marketingut dhe gjithë profesionistëve të komunikimit, pasi gara bëhet më e fortë. Sfidë që në të vërtetë, mbetet dhe “asi nën mëngë” qoftë për agjencitë, qoftë për profesionistët freelance në këtë industri.

Nevoja për të gjetur zgjidhje në kushte të panjohura, do të prodhojë forma të reja komunikimi, gjuhë të re në dërgimin e mesazheve, kreativitet në realizimin e eventeve në protokolle të reja, përsosje të komunikimit dixhital dhe design në një nivel të ri krijimtarie për t’iu përshtatur kohës.

Duket se deri në një kohë të pacaktuar, puna remote do të marrë përmasa edhe më të mëdha dhe do të bëhet pjesë dhe zgjedhje e rutinës sonë, ndaj ne si specialistë të fushës së marketingut dhe komunikimit, duhet të reflektojmë e gjejmë mënyrën si të përsosim pikën tonë më të fortë, që është dhe kura që do na çojë përpara në një botë që ka nevojë të shërohet: kreativitetin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of