Kredi e gjelbër

20/11/2018 4:10 PM 0 komente

Individët, ata që dëshirojnë të investojnë në rinovimin e banesave të tyre dhe që synojnë rritjen e efikasitetit të përdorimit të energjisë, përmes kredisë, mund të marrin mbrapsht një pjesë të financimit. Një program i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në mbështetje të individëve dhe bizneseve që investojnë në projekte me ndikim pozitiv në mjedis, bën të mundur rimbursimin e 15 – 20% të financimit.
BERZH ka akorduar një linjë financimi prej 6 milionë euro. Z. Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank, e cila do të lëvrojë kredinë, shpjegon në një intervistë për Monitor këtë program.

 

Intervistë me z. Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank

Z. Kadriu, së fundmi Union Bank është bërë pjesë e GEFF, një program ky i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për nxitjen e eficencës në energji. Pse BERZH ka zgjedhur Union Bank për zbatimin e këtij programi në vendin tonë?

Programi GEFF, Green Economy Financing Facility, është program i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në mbështetje të individëve dhe bizneseve që investojnë për eficencën në energji ose më shkurt që investojnë në projekte me ndikim pozitiv në mjedis. GEFF shtrihet në 24 vende dhe për këtë program BERZH ka investuar deri tani 4 miliardë euro.

Union Bank dhe BERZH kanë së bashku një marrëdhënie të ngushtë që prej vitit 2008. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është aksioner i rëndësishëm i Union Bank dhe ka anëtarë permanent në Bordin Drejtues të saj. Nga fillimi i bashkëpunimit deri më sot, Banka jonë ka implementuar një sërë projektesh të suksesshme me BERZH. Nëpërmjet kredisë së saponënshkruar me BERZH, Bankës sonë i jepet mundësia të mbështesë investimet private në segmentin e projekteve me ndikim pozitiv në mjedis. Kjo na ndihmon të realizojmë më mirë objektivat tona mjedisore dhe sociale.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kredia për ekonominë ka shënuar rënie. Çfarë po ndodh me sistemin bankar, sipas jush, dhe si pozicionohet Union Bank në procesin kreditues?

Është e vërtetë që sistemi në përgjithësi ka një rënie të nivelit të kreditimit. Financimi i ekonomisë lidhet me shumë faktorë si: situata ekonomike në vend, niveli i formalizimit të bizneseve, kreditë me probleme, vështirësitë e ekzekutimit të kolateralit, etj. Por gjithashtu mendoj se rënia e kreditimit në 6-mujor lidhet pjesërisht edhe me procesin e ristrukturimit që po ndodh në sistemin bankar shqiptar. Ky proces ka bërë që disa banka të përfshira të ulin kreditimin. Dua të theksoj se në afatgjatë, sistemi bankar shqiptar, i mirërregulluar nga Banka e Shqipërisë, po e kryen mirë detyrën e tij, për kreditimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në lidhje me Union Bank, mund të theksoj se Banka ka realizuar këtë vit një nëntëmujor shumë pozitiv në aspektin e rritjes së aseteve, të investimeve, të fitimit, etj. 2018-a, në Union Bank, është një vit i suksesshëm edhe për sa i takon kreditimit. Krahasuar me fundin e vitit 2017, kreditimi vetëm për këta nëntë muaj është rritur me 13.5%. Performanca shumë e mirë e Bankës në vitin 2018 është premisë pozitive edhe për vitin 2019, ku kreditimi do të vazhdojë të rritet në rastin konkret edhe me kredi për projekte që përmirësojnë eficencën e energjisë.

Programi GEFF mundëson kredi për institucionet financiare edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Cila ka qenë qasja e rajonit ndaj këtij projekti?

GEFF është një program mjaft i gjerë. Ai ka në fokusin e tij veçanërisht vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë dhe vendi ynë. Programi ka filluar të implementohet gjatë vitit 2017 në Kosovë, Maqedoni dhe Bosnjë-Hercegovinë, ndërkohë që gjatë 2018-s ka filluar puna për zbatimin e tij në Shqipëri dhe Serbi. Në këtë “konkurrencë rajonale”, synimi ynë si Union Bank është që nëpërmjet këtij bashkëpunimi të ofrojmë një model suksesi, që mund të përdoret për referencë edhe nga shtetet e tjera të rajonit.

Ky është rasti i parë ku nëpërmjet një huaje prej 6 milionë eurosh, një bankë shqiptare bëhet pjesë e programit GEFF të BERZH. Z. Kadriu si do të funksionojë GEFF në vendin tonë?

BERZH është bankë e madhe zhvillimi dhe si e tillë ajo nuk krediton direkt individët apo bizneset e vogla. Për të kredituar projektet individuale në Shqipëri, BERZH do të bashkëpunojë me Union Bank ku 6 milionë eurot e kredisë GEFF do të lëvrohen nga banka jonë.

Kjo do të thotë se është Union Bank ajo që do të kreditojë individët, ata që dëshirojnë të investojnë në rinovimin e banesave të tyre dhe që synojnë rritjen e efikasitetit të përdorimit të energjisë. Pra më thjesht, ata që dëshirojnë të kursejnë dhe të ulin vlerën e faturës së energjisë elektrike. Kur investimi që përdoret për rritjen e eficencës së energjisë në banesë kryhet nëpërmjet teknologjive apo pajisjeve green të certifikuara për ndikim pozitiv mjedisor, BERZH do të rimbursojë 15 – 20% të financimit. Ky fakt duhet vlerësuar pasi bëhet fjalë për rimbursim në nivele të kënaqshme, themi 200 mijë lekë për kredi 1 milion lekë.

Gama e teknologjive, pajisjeve apo materialeve që favorizohen me rimbursim nga projekti është e larmishme. Klientët e bankës dhe të gjithë konsumatorët janë të mirëpritur në Union Bank për t’u informuar rreth procedurave të nevojshme që do të ndiqen. Për këtë pjesë të rëndësishme të programit, Union Bank në bashkëpunim me GEFF është duke trajnuar specialistët e saj. Në një fazë të dytë, pasi të jetë fituar dhe përvoja me aprovimet e rasteve të para, Union Bank parashikon të investojë edhe në një fushatë ndërgjegjësimi publik për avantazhet e programit GEFF në Shqipëri.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of