Kredia bankare po orientohet gjithnjë e më shumë drejt lekut. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të tetorit kredia në lekë përbënte 52.3% të portofolit total të kredisë për ekonominë.
Krahasuar me një vit më parë, pesha specifike e kredisë në monedhën vendase është rritur me 2.2 pikë përqindje. Vitin e kaluar, huaja në valutë ende dominonte në segmentin afatgjatë, me afat maturimi mbi pesë vjet, ndërsa gjatë këtij viti leku është bërë monedha dominuese edhe për segment të kredisë. Ky është një tregues pozitiv, edhe për faktin se kredia afatgjatë është ajo më e ekspozuar në kohë ndaj luhatjeve në kursin e këmbimit valutor.
Zhvendosja e huadhënies drejt lekut është udhëhequr sidomos nga individët, që përbën edhe segmentin më të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit. Në segmentin e biznesit, huaja në valutë vazhdon të ketë një epërsi të lehtë, sidomos kur bëhet fjalë për biznesin e madh. Megjithatë, në këtë segment një pjesë e mirë e huamarrësve sigurojnë edhe të ardhurat në valutë dhe nuk janë të ekspozuar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.
Zhvendosja e kreditimit drejt lekut është një proces që po vijon gradualisht prej disa vitesh. Krahasuar me pesë vjet më parë, kredia në lekë e ka rritur peshën e vet kundrejt portofolit me rreth shtatë pikë përqindje. Kjo tendencë është e lidhur sidomos me uljen e interesave dhe me ngushtimin e hendekut mes lekut dhe euros. Historikisht, kreditimi i lartë në valutë ishte nxitur nga normat më të ulëta të interesit për euron, që i joshnin klientët të zgjidhnin monedhën europiane, qoftë edhe duke marrë përsipër rrezikun e kursit të këmbimit. Sidomos deri një dekadë më parë, kredia në euro nxitej edhe nga normat artificialisht të ulëta të interesit që ofronin bankat në pronësi të grupeve të huaja, duke shfrytëzuar linjat preferenciale të financimit nga grupet mëmë. Këto banka kishin akses kryesisht në fonde në valutë, ndaj edhe tentuan të fitonin pjesë tregu përmes huadhënies në euro.
Por, ulja e normave të interesit të lekut gjatë dekadës së fundit, deri në nivelet më të ulëta historike, ka ndihmuar në zgjerimin gradual të kreditimit në lekë, megjithëse ende sot normat e interesit për lekun ngelen në vlera mesatare më të larta krahasuar me euron.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në muajin tetor interesi mesatar i kredisë në lekë për bizneset ishte 5.11%, ndërsa në euro 3.64%. Për individët, interesi mesatar në lekë ishte 6.64%, ndërsa euro 3.39%.
Vetë bankat vitet e fundit nuk e promovojnë shumë kreditimin në një monedhë të ndryshme nga ajo që huamarrësi ka të ardhurat e tij. Veç të tjerash, kjo edhe për shkak të kuadrit rregullator që aplikon Banka e Shqipërisë dhe që kërkon mbulim më të larta me kapital për kreditë e dhëna te huamarrësit e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, edhe përmirësimi i kulturës financiare të publikut po ndikon në shmangien e këtij rreziku.
Në rritjen e kredisë në lekë mund të ketë nisur të japë ndikim edhe strategjia e deeuorizimit të Bankës së Shqipërisë. Dy vjet më parë, banka qendrore miratoi disa masa rregullatore që synonin t’i nxisnin bankat të jepnin më shumë hua në monedhën vendase, kryesisht nëpërmjet ndryshimeve të raportit të rezervës së detyrueshme sipas valutave të ndryshme./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.