Portofoli i kredisë për investime të biznesit ka nisur rënien gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill vlera totale e portofolit të kredisë për blerjen e makinerive dhe pajisjeve kishte vlerën e 11.7 miliardë lekëve, në rënie me 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Deri në fund të vitit 2022, ndryshimi vjetor i vlerës së këtij portofoli kishte qenë pozitiv në masën 2.4%.
E njëjta gjë po ndodh edhe në portofolin e kredisë për pasuri të paluajtshme për bizneset. Në fund të muajit prill, vlera e këtij portofoli ishte 112.4 miliardë lekë, në rënie me 2.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Deri në fund të vitit 2022, vlera e këtij portofolit kishte qenë në rritje vjetore pozitive, me 0.9%.
Portofoli i kredisë për biznesin është ndikuar padyshim negativisht edhe nga efekti i kursit të këmbimit, duke qenë se pjesa më e madhe e kredisë për qëllime investimi, qoftë në makineri dhe pajisje apo pasuri të paluajtshme, është e disbursuar në valutë të huaj.
Megjithatë, të dhënat e pjesës së parë të këtij viti kanë treguar se volumet e kredive të reja kanë ardhur në ulje.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ngadalësimi i kredisë për biznesin mund të lidhet me disa faktorë. Rritja e normave të interesit të kredive e ka rritur koston e financimit të investimeve të reja me kredi, duke ndikuar rrjedhimisht në një ulje të kërkesës për kredi.
Nga ana tjetër, mjedisi me inflacion të lartë dhe norma në rritje interesi ka të ngjarë të ndikojë negativisht kërkesën konsumatore, ndaj edhe për këtë arsye bizneset mund të jenë më të kujdesshëm në kryerjen e investimeve të reja dhe në zgjerimin e kapaciteteve të tyre prodhuese.
Një faktor tjetër që mund të ndikojë negativisht investimet është trysnia e lartë për rritjen e pagave nga tregu i punës. Duke shpenzuar më shumë për paga, bizneset mund të shfaqin tendencën për të qenë më të kursyer në ndërmarrjen e shpenzimeve të reja kapitale, përfshi ato që financohen pjesërisht me kredi bankare.
Banka e Shqipërisë në analizat e veta vëren se biznesi ka shfaqur një ngadalësim i kreditimit në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Në veçanti, në tremujorin e parë ngadalësimi i ritmeve të rritjes është më i dukshëm në sektorët e turizmit dhe të shërbimeve, ndërsa kredia për sektorin e industrisë u tkurr me norma më të larta se në tremujorin e kaluar, me rreth 8%.
Nga ana tjetër, ngadalësimi i rritjes së kredisë për bizneset në sektorin e ndërtimit dhe të tregtisë ka qenë më e përmbajtur, ndërsa kredia për sektorin bujqësor ruan nivele të ulëta.
Megjithëse ngadalësimi i kredisë duket të jetë më i theksuar në segmentin e kredive afatshkurtra, për nevoja likuiditeti, tendenca rënëse ka prekur qartë edhe kredinë për investime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.