Kredia e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit ka prekur nivelet më të ulëta që prej vitit 2011. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i kredisë së pambrojtur në valutë në fund të qershorit zbriti në 123 miliardë lekë, në rënie me 3.8% që nga fillimi i vitit 2022. Edhe në terma vjetorë, kredia e pambrojtur në valutë u tkurr me 4.1%, kryesisht si pasojë e rënies së kredisë së pambrojtur për bizneset dhe kredisë në monedhën euro.
Kredia klasifikohet si e pambrojtur në valutë në rastet kur monedha e kredisë është e ndryshme me monedhën që huamarrësi siguron të ardhurat. Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për kredi në valutë të huaj dhe sidomos në euro, ndërsa të ardhurat e huamarrësit janë në lekë. Kjo e bën huamarrësin të rrezikuar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit për shlyerjen e kësteve të kredisë. Një nënçmim i monedhës në të cilën ai ka të ardhurat e tij kundrejt monedhës së kredisë rrit automatikisht edhe shpenzimet e huamarrësit. Në mënyrë të tërthortë, kjo e ekspozon edhe bankën përballë rrezikut të një uljeje të aftësisë paguese të huamarrësit nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Rënia e stokut të kredisë së pambrojtur në valutë dhe rritja e stokut të kredisë në valutë bënë që pesha e kredisë së pambrojtur në valutë ndaj tepricës së kredisë në valutë të binte në 34%, tre pikë më pak krahasuar me fillimin e vitit. Ndërsa pesha e kësaj kredie ndaj totalit të kredisë ka rënë me 1.4 pikë përqindje, në nivelin 17.5%. Në tërësi, kjo ecuri tregon një rënie të ekspozimit të sektorit bankar ndaj efektit të tërthortë të kursit të këmbimit, duke kontribuuar pozitivisht në qëndrueshmërinë e tij.
Peshën kryesore të kredisë së ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit zë kredia për bizneset, e cila gjatë periudhës u pakësua me 8%. Sipas sektorëve, peshën kryesore në këtë kredi e zë pasuria e paluajtshme me 57%, e ndjekur nga tregtia me 23%.
Kredia e pambrojtur për individët u rrit me 6.7% gjatë gjysmës së parë të vitit, për shkak të kredisë së re për investime në pasuri të paluajtshme. Kjo kredi ka shënuar rritje edhe në terma vjetorë. Megjithatë, duke qenë se kredia e pambrojtur për individët ka peshë relativisht me të ulët në kredinë e pambrojtur në valutë, ndikimi i rritjes së saj në ecurinë e stokut të përgjithshëm të kredisë së pambrojtur nuk arriti të neutralizojë uljen e kësaj kredie për sektorin
e bizneseve. Pjesa kryesore e tepricës së kredisë të pambrojtur në valutë përbëhet nga kredia në euro, rreth 90% dhe stoku i këtij portofoli ka shënuar rënie gjatë periudhës.
Me qëllim frenimin e huadhënies së këtij lloji, banka qendrore prej më shumë se një dekade iu ka vendosur bankave kërkesa më të larta për mbulimin e tyre me kapital. Treguesi kryesor i mbikëqyrjes së bankave është raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, i shprehur si vlera e kapitalit rregullator në raport me vlerën e aktiveve të peshuara me koeficentë rreziku. Kredia e pambrojtur në valutë ponderohet me një koeficient 150% në llogaritjen e vlerës së aktiveve të peshuara me rrezik, ndërsa për kredinë e mbrojtur koeficienti është më i ulët, zakonisht jo më shumë se 100%. Në këtë mënyrë, dhënia e kredive të pambrojtura në valutë ka një ndikim më të madh mbi raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankën. Në teori, ky rregull e bën kredinë e pambrojtur në valutë më të kushtueshme për bankat dhe duhet t’i nxisë ato që kredinë ta ofrojnë në monedhën e të ardhurave të huamarrësit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.