Kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka pësoi rënie vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë ky portofol në fund të vitit 2020 kishte vlerën e 38.2 miliardë lekëve, në rënie me 1.7% krahasuar me një vit më parë. Kjo është hera e parë që prej vitit 2015 që portofoli i kredisë dhënë nga institucionet financiare jobanka e mbyll vitin me rënie.
Kreditimi nga institucionet financiare jobanka nisi rritje të shpejtë sidomos nga fillimi i vitit 2017. Ndikim të konsiderueshëm besohet se ka dhënë zgjerimi i aktivitetit të kompanive të mikrokredive konsumatore, por edhe rritja e qëndrueshme e institucioneve financiare të mbështetjes me kredi për bizneset e vogla dhe të mesme.
Që nga fillimi i vitit 2017 deri në fund të vitit 2020, portofoli i kredisë për mikrobiznesin u zgjerua me rreth 82%. Por, pandemia e Covid-19 solli menjëherë një ndikim të rëndësishëm në këtë segment të tregut financiar. Nëse huadhënia nga sektori bankar vijoi me ritme të kënaqshme, mikrofinanca e vuajti më shumë krizën. Shkaqet mund të shpjegohen me faktorë të ofertës, ashtu edhe me ata të kërkesës. Nëse bankat nuk patën problem likuiditeti, për shkak të rezervave të kapitalit dhe aksesit në instrumentet mbështetëse të Bankës Qendrore, institucionet financiare jobanka nuk i kishin këto avantazhe.
Kjo bëri që një pjesë e mirë e tyre ta ulnin ndjeshëm ofertën për kredi, sidomos gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit. Por, ky sektor i ndjeu më shumë pasojat e krizës edhe në krahun e kërkesës, edhe për shkak të segmentit të klientelës që shërben. Mikrofinanca krediton nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro, kryesisht në atë segment që nuk gjen akses për financim nga sektori bankar. Ky është një grup më i brishtë, me nivel më të lartë të informalitetit dhe riskut, e rrjedhimisht më i ekspozuar ndaj krizave të papritura, siç ishte pandemia e Covid-19.
Duke pasur si klientelë atë grup ku goditja e krizës ishte më e ndjeshme dhe më e shpejtë, besohet se mikrofinanca vuajti më shumë edhe nga rënia e kërkesës. Të dhënat e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare tregonin për një rënie të numrit të kredive konsumatore me afërsisht 40% gjatë vitit 2020. Projekti i Bankës së Shqipërisë për të vendosur një normë tavan interesi për kreditë konsumatore mund ta vështirësojë aktivitetin për disa prej institucioneve financiare jobanka, sidomos ato të fokusuara në segmentin e mikrokredisë konsumatore./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.