Përmbaruesit kanë nxjerrë në shitje 49 për qind të kuotave të kapitalit të klinikës së shërbimeve mjekësore IKEDA.
Sipas njoftimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, përmbaruesi Arben Matani, ka autorizuar shitjen e gjysmës së aksioneve të klinikës për shkak të mosshlyerjes në kohë të kredisë në fondin “Besa”. Kuota e aksioneve në shitje është vlerësuar 9.5 milionë lekë.
Përmbaruesi, pasi ka njoftuar debitorët dhe dorëzanësit, e shoqërisë IKEDA , të cilit nuk i janë përgjigjur urdhrit për shlyerjen vullnetare të detyrimeve, ka vendosur të nxjerrë në shitje aksionet e një prej klinikave mjekësore më të njohura në Tiranë.
Përmbaruesi ka pohuar se ortakët e kompanisë kanë të drejtën e parablerjes të aksioneve që zotëron dorëzanësi Mustafa Ibro, i cili aktualisht është edhe administratori i klinikës.
Sipas kritereve që ka vënë përmbaruesi, fitues do të shpallet ai person që paguan çmimin më të lartë.
Më herët, shoqëria përmbarimore “ARB” sh.p.k, ka protokolluar nga QKB vendosjen e menjëhershme të masës së sekuestros konservative në aksionet e shoqërisë IKEDA sh.a., me NUIS (NIPT) K31607070C dhe moskryerjen e asnjë veprimi tjetër i cili mund të ndryshojë të dhënat e regjistrit tregtar.
Euromedica Albania Holdings S.A. ka 51 % të aksioneve të Klinikës, ndërsa Mustafa Ibro 49% të tyre.
Klinika ushtron aktivitet në shërbimet mjekësore qysh në vitin 1999 dhe ishte e njohur në shërbimet e radiologjisë fillimisht.
Që kur u liberalizuan shërbimet mjekësore, bizneset private të shëndetësisë kanë zënë një pjesë të konsiderueshme të tregut. Në vitin 2015, shqiptarët shpenzuan 52 milionë euro për t’u trajtuar në spitalet private. Shifra ishte më e lartë se në vitin 2014.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.