Kredia për biznesin është zgjeruar në tremujorin e parë të këtij viti, teksa shihet se sektori i industrisë është përfituesi kryesor i kësaj rritje.
Në tremujorin e parë të vitit 2019, kredia për biznese u rrit me 6 miliardë lekë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë shumica e kredisë shkoi për financimin e sektorit të industrisë.
Rritja e këtij sektori balancoi tkurrjen e portofolit në sektorin e bujqësisë dhe atë të shërbimeve të tjera. Ndërkohë, sektori i ndërtimit shfaqi një rritje të moderuar me 0.8 miliardë lekë, kurse ai i tregtisë konfirmoi një rritje të ngjashme me tremujorin paraardhës prej 1.7 miliardë lekë.
Në reflektim të këtyre zhvillimeve, vihet re se kredia për industrinë ka shfaqur përmirësim të ndjeshëm të dinamikës vjetore me rritje prej 9.3%, duke kthyer tendencën e tkurrjes së portofolit për më shumë se një vit, ndërsa norma vjetore e rritjes së portofolit të tregtisë ka mbetur në nivele të ngjashme me atë të fundvitit, në rreth 8%.
Nga ana tjetër, portofoli i kredisë për bujqësinë dhe shërbime të tjera kanë mbetur në nivelet e një viti më parë.
Struktura e portofolit të kredisë sipas sektorëve të ekonomisë vijon të dominohet nga kreditimi i tregtisë, e cila përbën 44% të portofolit të kredisë për biznese.
Kredia për industrinë ka shënuar rritje të peshës në 25%, ndërsa pesha e kredisë për ndërtim dhe ajo për bujqësi kanë mbetur të pandryshuara në përkatësisht 15% dhe 1.4% të totalit. Zhvillimet në financimin sipas sektorëve të ekonomisë janë në linjë me dinamikën e prodhimit sipas sektorëve të ekonomisë.
Në tremujorin e parë përmirësimi i ritmeve të rritjes së portofolit të kredisë për biznese është mbështetur më së shumti nga kredia për biznesin e madh, e cila u rrit me rreth 4.2 miliardë lekë gjatë tremujorit të parë.
Në terma vjetorë, kredia për korporatat shënoi përmirësim të ritmeve të rritjes në 4.7% përkundrejt 2.2% të shënuar në muajin dhjetor. Kredia për ndërmarrjet e Vogla dhe Mesme është ngadalësuar, duke dhënë një kontribut më të vogël në zgjerimin e portofolit të kredisë këtë tremujor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.