Kredia e re për investime arriti vlerën e 19 miliardë lekëve ose 155 milionë eurove në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipëria, huamarrja e biznesit për investime u rrit për të dytin tremujor radhazi, madje paraqitet në nivele edhe më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në raport me tremujorin e tretë 2019, kredia e re për investime u rrit me 57%.
Rritja e kredisë për investime është një zhvillim i papritur, në kushtet kur ekonomia po pëson një rënie të fortë. Madje, edhe vrojtimi i aktivitetit kreditues të bankave sinjalizonte një rënie të pritshme të kërkesës për kredi për investime nga bizneset. Një pritshmëri e tillë ishte logjike, duke pasur parasysh rënien e prodhimit kombëtar dhe pasigurinë e lartë për të ardhmen. E megjithatë, shifrat tregojnë se huamarrja e biznesit për investime po vazhdon me ritme të larta, pavarësisht krizës.
Po të shohim të dhënat e detajuara, mbështetja kryesore e rritjes së kredisë për investime vazhdon të jetë kredia për pasuri të paluajtshme. Nga 19.1 miliardë lekë kredi e re e disbursuar gjatë tremujorit, rreth 60% ishte kredi për pasuri të paluajtshme.
Njëlloj si individët, edhe bizneset duket kanë shfaqur një interes të lartë për të investuar në blerje ose ndërtim të pasurive të paluajtshme. Norma mesatare e interesit për kredinë për pasuri të paluajtshme nga biznesi gjatë këtij viti ka qenë, mesatarisht, 5% në lekë dhe rreth 4.2% në euro.
Banka e Shqipërisë parashikonte përmirësim gradual të investimeve private në tremujorin e tretë të vitit, mbështetur në tregues të tërthortë, si rritja e importit të mallrave kapitale, pas një dinamike negative prej një viti e gjysmë.
Në fund të muajit shtator, portofoli i kredisë për investime kishte vlerën e 195.7 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 11%. Kjo normë rritjeje është 65% më e lartë se rritja mesatare e portofolit të kredisë për biznesin në të njëjtën periudhë.
Tashmë, kredia për investime dominon huanë për biznesin, me rreth 55% të portofolit total. Rritja e peshës së kredisë për investime është një sinjal se kreditimi i bizneseve po bëhet më afatgjatë dhe i qëndrueshëm në kohë. Sidomos kreditë për pasuri të paluajtshme kanë afate më të gjata maturimi. Kredia për investime jepet në pjesën më të madhe në euro. Portofoli në monedhën europiane përbën rreth 58% të totalit./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.