Kredia e re u rrit përsëri në muajin nëntor

29/12/2020 12:00 PM 0 komente

Kredia e re për ekonominë u rrit edhe gjatë muajit nëntor, në vijimësi të një tendence pozitive të nisur që nga mesi i këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re gjatë nëntorit kishte vlerën e 16.5 miliardë lekëve, në rritje me 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kredia e re vijoi të rritej paralelisht në segmentin e biznesit dhe në atë të individëve.

Për 11 muajt e vitit 2020, kredia e re për ekonominë shqiptare arriti vlerën e 203.6 miliardë lekëve, 5.2% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Megjithatë, që nga mesi i këtij viti ecuria e kreditimit është në përmirësim të dukshëm. Për periudhën qershor-nëntor, kredia e re u rrit me 6.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Deri tani gjatë vitit 2020, kredia e re për bizneset ka rënë me 4.8%, ndërsa ajo për individët me 8.9%, duke reflektuar kryesisht efektin e muajve të mbylljes së ekonomisë. Pas qershorit, ecuria është njëlloj pozitive në të dy segmentet. Kredia për biznesin duket se është mbështetur nga skemat e garancisë sovrane dhe nga një përmirësim i lehtë i aktivitetit ekonomik. Kredia për individë reflekton interesin e lartë të familjeve shqiptare për të blerë pasuri të paluajtshme, por edhe gjallërimin gradual të konsumit.

Në fund të muajit nëntor, portofoli total i kredisë për ekonominë, i matur si tepricë, arriti vlerën e 595.8 miliardë lekëve, në rritje me 3.6 miliardë lekë krahasuar me muajin tetor. Me bazë vjetore, rritja e portofolit të kredisë për ekonominë ka arritur pranë nivelit të 5%. Kredia për kompanitë private është në rritje me 7.5%, ndërsa ajo për individët me 6.1%. Por, rritja mesatare e kredisë për ekonominë është ndikuar ndjeshëm nga tkurrja e portofolit të kompanive publike me 39%, për shkak të mosrinovimit të disa prej overdrafteve të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Shifrat tregojnë se sektori bankar ka vijuar kreditimin e ekonomisë, pavarësisht se ekonomia ka pësuar goditjen më të fortë në 23 vitet e fundit. Rritja e kreditimit edhe në këto kushte është mbështetur nga gjendja e shëndetshme e sektorit bankar në vend dhe politikat lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, që iu kanë mundësuar bankave të mbështesin huamarrësit me shtyrje dhe ristrukturime, pa rritur treguesin e kredive me probleme. Ecuria e mirë e kreditimit është gjithashtu një tregues domethënës optimizmi për të ardhmen. Ajo dëshmon se bankat presin një përmirësim relativisht të shpejtë të ekonomisë reale, pa pasoja afatgjata në bilancet e shumicës së ndërmarrjeve dhe familjeve.

Burimi: BSH

Burimi: BSH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of