Kredia e sektorit bankar në dollarë amerikanë këtë vit ka arritur nivelet minimale në të paktën gjashtë vjet.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 10 mujorin e këtij viti, e gjithë kredia e re kishte vlerën e 47.5 milionë dollarëve amerikanë, në rënie me 41.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia në dollarë po bie për të tretin vit radhazi dhe kredia e re këtë vit është afërsisht sa një e katërta e vlerës së disbursuar në vitin 2018.
Si tepricë portofoli, kredia në dollarë në fund të tetorit kishte vlerën e 16 miliardë lekëve (rreth 150 milionë dollarë), me një rritje të lehtë prej 3% krahasuar me një vit më parë. Në dy vitet e fundit, qëndrueshmëria e portofolit, sidomos në sektorin e biznesit, është ndikuar edhe nga ristrukturimet e kredive, që kanë ngadalësuar ritmin e amortizimit të kredive ekzistuese. Gjithashtu, duke qenë se teprica e portofolit raportohet vetëm në lekë, ajo ndikohet ndjeshëm nga lëvizjet e kursit të këmbimit.
Kredia në dollarë amerikanë është e përqendruar pothuajse e gjitha në segmentin e biznesit. Kompanitë private zotërojnë rreth 98% të portofolit aktiv të kredisë në dollarë. Pjesa më e madhe e portofolit, rreth 65%, shkon për nevoja afatshkurtra, në formën e overdrafteve apo kredive për kapital qarkullues. Tërthorazi një përdorim të lidhur kryesisht me financimin e blerjeve të mallrave të konsumit në import. Kreditë në dollar kanë një luhatshmëri më të madhe të normat e interesit krahasuar me ato në lekë apo euro. Kjo lidhet sidomos me faktin që këto kredi ofrohen vetëm në një segment të kufizuar të tregut dhe kushtet e financimit mund të ndryshojnë ndjeshëm në varësi të profilit dhe rrezikut të klientit apo vlerës së ekspozimit.
Këtë vit, kreditë e reja në dollarë janë dhënë me një normë mesatare interesi prej 4.5%, nga 4.7% që kishte qenë interesi mesatar për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjasat janë që rritja e interesave për monedhën amerikane të jetë më e shpejtë, për shkak të një rritjeje më të shpejtë të inflacionit në raport me Eurozonën, por edhe të një qasjeje përgjithësisht më konservatore të ndjekur nga Rezerva Federale në kursin e politikës monetare.
Kredia në dollarë amerikanë në Shqipëri përdoret kryesisht nga bizneset që kanë marrëdhënie tregtie me SHBA dhe shtete të tjera ku dollari vazhdon të jetë valuta e huaj referuese në ekonomi dhe këmbimet tregtare. Por, vlerësohet se pesha e dollarit në këmbimet tregtare ka rënë ndjeshëm. Tashmë, vetëm tregtia direkte me vendet e Bashkimit Europian përbënte mbi 60% të volumit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë për 10 mujorin e parë të këtij viti, ndërkohë që euro është dominuese edhe në këmbimet me vendet e rajonit. Dollari mbetet monedhë referuese në tregjet jashtë Europës. Disa banka shqiptare kanë tentuar të mundësojnë aksesin e dhe në valutën kineze Renminbi, por, deri tani, pa shumë sukses. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.