Kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka shënoi rritje në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë i korporatave të tjera financiare (përjashtuar bankat) në fund të marsit 2021 arriti në 39.2 miliardë lekë, me një rritje 2.6% që nga fillimi i vitit.
Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është gjithashtu në rritje me 1.55% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pjesën më të madhe, ky portofol kredie u takon institucioneve të mikrofinancës. Ky segment i tregut financiar ishte ndër më të goditurit nga vala e parë e pandemisë, që solli mbylljen ekonomisë dhe çoi në shtyrjen tremujore të pagesës së kësteve të kredisë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar kredia e këtyre institucioneve pësoi rënie me 1.7%, për herë të parë që prej vitit 2015.
Nëse bankat nuk patën problem likuiditeti, për shkak të rezervave të kapitalit dhe aksesit në instrumentet mbështetëse të Bankës Qendrore, institucionet financiare jobanka nuk i kishin këto avantazhe. Kjo bëri që një pjesë e mirë e tyre ta ulnin ndjeshëm ofertën për kredi, sidomos në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit. Pasojat u ndien sidomos tek institucionet më të reja në treg, që nuk kishin pasur mundësi të krijonin rezerva të përshtatshme në vite për t’u përballur me bllokimin disamujor të pagesave të kësteve. Përballë kësaj situate, institucionet në fjalë u detyruan të bllokimin disbursimin e kredive të reja dhe të shkurtonin vende pune.
Ky sektor i ndjeu më shumë pasojat e krizës edhe në krahun e kërkesës, edhe për shkak të segmentit të klientelës që shërben. Mikrofinanca krediton nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro, kryesisht në atë segment që nuk gjen akses për financim nga sektori bankar. Ky është një grup më i brishtë, me nivel më të lartë të informalitetit dhe riskut, e rrjedhimisht më i ekspozuar ndaj krizave të papritura, siç ishte pandemia.
Megjithëse efektet ishin të ndjeshme, edhe ky sektor duket se arriti të rimëkëmbej shpejt dhe sinjalet pozitive nisën që në pjesën e fundit të vitit 2020. Në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, portofoli i kredisë iu kthye rritjes, me më shumë se 1 miliard lekë, ndërsa kjo rritje ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të vitit 2021. Vlerësohet se mikrofinanca përbën afërsisht 6% të portofolit të total të kredisë për ekonominë. Megjithatë, e matur në numër financimesh, pesha e tyre është shumë më e lartë dhe sipas përfaqësuesve të sektorit arrin në rreth 25% të kredive të disbursuara./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.