Të dhënat e korrikut porsa i përket kreditimit të ekonomisë vendase janë shqetësuese. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se stoku i huasë për ekonominë ka shënuar rënien më të thellë mujore në korrik, që nga viti 2002, kur institucioni monetar qendror raporton të dhënat. Në raport me dhjetorin 2012, kredia për ekonominë është tkurrur me 6.8 miliardë lekë, apo 1.2%, duke shënuar prirje rënëse për herë të parë në dekadën e fundit.
Janë disa arsyet që po ndikojnë në këtë performancë negative. Bankat kanë cilësuar si shkaktar të ndërprerjes së kreditimit nivelin e rritur të huave me probleme që po i afrohet 25 përqindëshit, më i larti në rajon. Nga ana tjetër, në një ekonomi që prej mëse dy vitesh po zgjerohet me ritme minimale, midis 1-2%, është normale që edhe kërkesa e biznesit është frenuar, duke ndjekur të njëjtën tendencë me investimet tkurrëse në ekonomi.
Në një situatë të tillë nuk mund të pritet që bankat të tregohen aktive në kreditim, për sa kohë që ekonomia është e dobët, duke mos qenë ato vetë një motor i rritjes ekonomike, siç ka ndodhur në vitet e kaluara. Kujtojmë periudhën 2003-2008, kur huaja për biznesin dhe individin rritej me ritme dy shifrore, në një ekonomi që zgjerohej mesatarisht 6-8% në vit. Bankat ishin një nga financueset kryesore të konsumit në vend, krahas mbështetjes që u dhanë bizneseve që kërkonin të rriteshin e investonin.
Ato kohë të arta vështirë se do të arrijnë të përsëriten më. Bankat, teksa kanë mësuar dhe nga gabimet e të kaluarës, janë bërë shumë më përzgjedhëse dhe kërkuese në financimin si të bizneseve ashtu dhe individëve, duke i dhënë përparësi sektorëve me prioritet zhvillimi dhe projekteve të mira. Por edhe tkurrja e huadhënies nuk është një dukuri pozitive për një ekonomi që kërkon dëshpërimisht të rritet për të gjeneruar vende pune.
Por, çfarë duhet bërë për të thyer këtë rreth vicioz në mënyrë që huadhënia e ekonomisë t’i kthehet ritmeve të rritjes, të paktën në nivelin e zgjerimit të ekonomisë (kujtojmë që këtë vit huadhënia është me prirje negative).
Banka e Shqipërisë, nga ana e saj është treguar agresive duke ulur vazhdimisht normën bazë të interesit në 3.5%, por kjo politikë nuk po rezulton e mjaftueshme për të nxitur huadhënien. Siç pohoi dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë në deklaratën e tij të fundit, kjo tregon se përcjella e plotë e lehtësimit të politikës monetare në kushte më të mira financimi për sektorin privat mbetet problematike.
Një veprim që do të jepte efekt pozitiv në afatin e shkurtër do të ishte nëse qeveria e re do të arrinte të likuidonte faturat e papaguara, që i detyrohet biznesit për punët që ai ka kryer në shërbimet publike, së bashku me rimbursimin e TVSH-së. Kjo do të jepte një efekt zinxhir në një sërë sektorësh, por edhe në gjallërimin e huadhënies nga bankat. Shoqata e Ndërtuesve ka deklaruar se borxhi që qeveria u detyrohet vetëm ndërtuesve arrin në mbi 100 milionë euro, shumë që është e barabartë me gati një të dhjetën e xhiros vjetore të këtij sektori. Nga ana tjetër, nëse qeveria e re do të bënte një ndarje të sektorëve prioritarë që do të mbështeteshin në të ardhmen, kjo do të qartësonte bankat që të mos jepnin hua atje ku nuk ka interes për zhvillim. Një sektor, ku dilema vazhdon të jetë e lartë, për shembull, është ai i ndërtimit, a do të vazhdojë ai të nxitet, apo do të frenohet në mënyrë që të ruhet vlera e pasurisë së paluajtshme. Ndërkohë që ka dhe industri të tjera, si agropërpunimi, që kanë shanse për t’u zhvilluar dhe bankat kanë shfaqur interes t’i financojnë, por që kanë nevojë për një orientim strategjik në mënyrë që të shfrytëzojnë avantazhet konkurruese (sigurimi i ekonomisë së shkallës, grumbullimi, infrastruktura shpërndarëse etj).
Në fund të fundit, nuk është banka ajo që zhvillon ekonominë, por gjithsesi ai është institucioni që mbështet zhvillimin e saj, përmes financimit të projekteve premtuese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.