Statistikat tregojnë se pas rihapjes së ekonomisë kreditimi po i kthehet gradualisht niveleve të parakrizës.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re për biznesin gjatë 9 muajve të parë të vitit ka arritur vlerën e 125.6 miliardë lekëve ose pak më shumë se 1 miliardë eurove. Kredia e re e ka ngushtuar rënien vjetore në 3.2%, nga 11.5% që kishte qenë rënia në fund të 6-mujorit. Megjithatë, kreditimi po shfaq ndryshime të mëdha mes sektorëve të ekonomisë, ku disa paraqiten në rënie drastike ndërsa disa të tjerë në rritje të fortë.
Tregtia, sektori me peshën kryesorë në huadhënie, këtë vit është në rënie të dukshme. Statistikat tregojnë se kredia e re për tregtinë ra në 47.6 miliardë lekë, 25% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tregtia ka qenë ndër aktivitetet më të ndikuara nga kriza, sidomos për shkak të rënies së fortë të konsumit në tremujorin e dytë dhe rritjes së papunësisë. Edhe industria përpunuese këtë vit është më pak e kredituar. Financimet e reja për sektorin kishin vlernë e 14.6 miliardë lekëve, pothuajse 19% më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Sektori i dytë për nga pesha në huadhënien e re, ndërtimi, nuk është ndikuar shumë nga kriza. Kredia e re për ndërtimin ka vlerën e 15.5 miliardë lekëve, pothuajse në të njëjtat vlera me një vit më parë. Tregu i pasurive të paluajtshme nuk po shfaq shenja krize, megjithë tkurrjen e fortë ekonomike dhe aktiviteti i ndërtimeve rezidenciale, sidomos në kryeqytet, po vazhdon me ritme të larta.
Ndërkohë, sektori që ka regjistruar rritjen më të lartë të kreditimit këtë vit është industria nxjerrëse. Kredia në këtë sektor është rritur me 194% krahasuar me 9-mujorin e vitit 2019.
Të tjerë sektorë me rritje mbi 100% të vlerës së kredisë së re janë ai hoteleve dhe restoranteve, me 126% dhe transport-magazinimi me 107%.
Shumica e bankave, në fakt, adoptuan një strategji për mbështetje më afatgjatë të bizneseve që vuajtën pasojat më të rënda nga kriza. Kjo strategji përfshinte ristrukturime afatgjata të kredive, deri në dy vjet, me qëllim krijimin e frymëmarrjes për t’i mbijetuar efekteve të krizës. Por, kjo mbështetje duket se është shoqëruar edhe me financime të reja, për të rritur shanset e mbijetesës së këtyre sipërmarrjeve.
Ecuri pozitive të kredisë së re po shfaq edhe sektori i energjetikës. Kredia e re për këtë sektor gjatë 9-mujorit 2020 arriti vlerën e 7.3 miliardë lekëve, në rritje me 16.5% krahasuar me një vit më parë. Kreditimi këtë vit paraqitet në rritje edhe në sektorin e bujqësisë, me pothuajse 23% më shumë krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, kredia për bujqësinë vazhdon të ketë përmasa modeste dhe zë vetëm 1.4% të kredisë të re dhënë për bizneset private./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.