Konferenca e kredive për ekonominë, aktivitet i zhvilluar sot, gjatë të cilës, i pranishëm në panel ministri i financave Cani vuri theksin te fakti se kreditimi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e ekonomisë së një vendi si i yni.
Ai shtoi se kreditimi ka pasur disa vështirësi, të krijuar prej një kohe relativisht të gjatë. Ministri iu referua aspekteve makroekonomike, për të cilat qartësisht u shpreh se duhet krijuar një terren i përshtatshëm, për zhvillim.
“ Çështja makroekonomik, për këtë temë duhet të kemi koncepte të qarta. Duket sikur nuk na përket neve stabiliteti makroekonomik, duhet çuar në nivel pozitiv, për të cilën duhen kosto të larta. Nga ky stabilitet, fillon terreni i duhur për zhvillim. Duket krijuar terreni i fortë.”- tha Cani.
“Ekonomia nuk është bicikletë”- thotë ministri, duke shtuar se në terma krahasues është si një tren i madh që mezi merren kthesat, por kërkon kohën e vet.
“ Ka rënë tempi i rënies së ekonomisë, është stabilizuar, po merr për rritje dhe them se do shkojmë drejt rritjes së parashikuar, deri në 4.5 % vitin e ardhshëm.”- ka deklaruar kreu i financave.
Sa i përket çështjes së reformave të ndërmarra në ekonomi, ministri Cani tha se këto reforma kanë ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen dhe përmirësimin e situatës ekonomike.
“Në ekonomi kemi ndërmarrë reforma të thella: ajo në sektorin energjetik, atë të pensioneve, çështjet territoriale, reforma në aspektin fiskal etj. të cilat kanë ulur pasigurinë dhe risqet në ekonomi.”- tha Cani.
Ministri përmendi edhe pagesat e detyrimeve të mbetura, për të cilat deklaroi se janë paguar një pjese e madhe, për institucionet ku shteti ishte debitor.
Ndërsa ka përmendur rregullin për moskrijim të detyrimeve të reja të papaguara, si një element pozitiv në vlerësimin e riskut të kredimarrësve për punët publike (“nuk do të ketë më vonesa pa afat për pagimin e punëve të kryera në kontratat me shtetin”- tha z. Cani), ministri i Financave ka lajmëruar se ka përfunduar huamarrja për buxhetin e shtetit në vlerën e 250 milionë eurove, me garanci të BB-se për 200 milionë euro, me qëllim të lehtësimit të bankave për kreditim të sektorit privat.
“Në mënyrë që t’i lëmë më shumë hapësirë bankave për kreditim të sektorit privat dhe jo vetëm të financimit të huamarrjes publike, vendosëm që, duke respektuar kufirin e miratuar për borxhin publik të vitit 2015, një pjesë të tij, ta zhvendosim nga “me burime të brendshme” në “me burime të jashtme”, sa kohë që kjo alternativë është me shumë interes dhe zbut presionin ndaj bankave për financimin e buxhetit”- nënvizoi ministri Cani.
Ndër problemet që lidhen me kreditimin, ministri iu referua ekzekutimit të kolatarali, proces i cili pohoi se ende ka probleme, teknike dhe shoqërore.
E pranishme në këtë takim, Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë Elisabeta Gjoni tha se kreditë e këqija janë në nivel shumë të lartë.
“Jemi në kushtet kur cilësia e kredisë e portofolit ekzistues është jo i mirë. Kreditë me probleme janë gati 1/4 e portofolit të ekonomisë, pra në nivele shumë të larta. Kjo cilësi e ulët e portofolit të kredisë ndikon në ekuilibrin që duhet të përzgjedhim mes prudencës së paketës rregullatore apo stimulimit që duhet ti bëjmë asaj”-tha Gjoni.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.