Kredia për ekonominë ka shënuar rritje në qershor, për të dytin muaj radhazi, e ndikuar nga rritja e huadhënies në lekë për korporatat jofinanciare (bizneset) dhe sidomos për individët.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit qershor, stoku i huasë gjithsej, të dhënë në ekonomi ishte 552 miliardë lekë, duke shënuar rritje prej 0.7% në krahasim me muajin e kaluar. Me bazë vjetore, kredia për ekonominë është rritur me 4.2%, duke u gjallëruar në raport me vitin e kaluar.
Huatë për korporatat në lekë u rritën me 1.1% në qershor në raport me muajin e mëparshëm, ndërsa ato në euro u tkurrën me 0.3%.
Pozitiv ishte dhe kreditimi për individët me bankat që po shënjestrojnë këtë segment, pasi ai ka rezultuar më korrekt në kthimin e kësteve. Huaja për individët u rrit me 1.1% në raport me majin, ku zgjerimi ishte si në lekë ashtu dhe në valutë.
Kredia për ekonominë ka qenë e dobët vitet e fundit. Në 2018-n, rritja vjetore ishte për herë të parë negative, por këtu ndikoi dhe efekti i kursit të këmbimit, si rrjedhojë e zhvlerësimit të euros ashtu dhe fshirja e kredive, që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, nga bilancet e bankave.
Bankat raportuan në vrojtimin e aktivitetit kreditues të tremujorit të dytë se kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja akorduar bizneseve u shtrënguan disi nga një tremujor më parë. Edhe kërkesa për kredi e bizneseve u perceptua në rënie edhe në tremujorin e dytë të vitit 2019, kryesisht kreditë e marra me qëllim investimi, ndërkohë që për ato të përdorura në financimin e nevojave për likuiditet, kërkesa u perceptua më e lartë. Parë në prizmin e madhësisë së biznesit, rënia më e theksuar e kërkesës për kredi u vlerësua nga ana e bizneseve të mëdha.
Në të kundërt, bankat janë më të prira të financojnë individët dhe kanë lehtësuar standardet për këtë segment. Kërkesa e individëve për kredi u perceptua disi më e lartë në tremujorin e dytë të vitit. Kërkesa për kredi me qëllim blerje banesash u raportua pak më e lartë, ndërkohë që kërkesa për kredi konsumatorë u raportua disi më e ulët
Së fundmi, Banka e Shqipërisë po harton një plan masash për ta nxitur huadhënien në ekonomi. Ky plan është ende në fazë konsultimi me bankat dhe ai synon ndër të tjera rritjen e aksesit të bizneseve në institucione, si p.sh., në hipoteka, përmirësimin e masave për ekzekutimin e kolateralit, ulja e informalitetit në ekonomi, që nga ana e saj do të ndikonte në rritjen e huasë në banka, rritjen e përdorimit të shërbimeve bankare, marrëveshjet e ndarjes së rrezikut mes bankave dhe institucioneve financiare apo qeverisë etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.