Kredia për ekonominë në rritje. Përfaqësuesit e bankave: Biznesi u step dhe kërkon më pak para

16/05/2019 10:19 AM 0 komente

Ngërçi i kredisë gjatë viteve të fundit është konsideruar si një nga faktorët kryesorë, që pengon ekonominë të rritet më shpejtë. Por a janë bankat arsyeja se pse ekonomia nuk financohet?

“Bankat janë të parat që janë të interesuara për të dhënë kredi sepse kjo është puna jonë. Shikoni kredinë për individët. Rezultatet gjatë viteve të fundit kanë qenë shumë të mira. Ka patur kërkesë dhe bankat e kanë financuar plotësisht duke dhënë si hua për blerje apartamentesh ashtu dhe kredi konsumatore”, tha kryetari i shoqatës së bankave, Silvio Pedrazzi.

Por në panoramën e madhe kredia për individët zë një peshë të vogël. Kredimarrësit më të mëdhenj janë bizneset, të cilët duken më të stepur.

“Bankat nuk vijnë të parat. Ato ndjekin kërkesën. Ne financojmë kur kemi kërkesë dhe për të patur kërkesë nevojiten investime. Pra ajo që duhet të investigojmë është se pse niveli i investimeve të reja nuk është aq i lartë. Dhe arsyet për këtë mund ti gjejmë në librat e ekonomisë”, shtoi Silvio Pedrazzi.

Për Silvio Pedrazzin, ky është një ngërç që ne thelb lidhet me besimin.

Ai tha gjithashtu se: “Ndoshta ajo që kërkohet është një nivel më i lartë optimizmi dhe dëshire sipërmarrjeje nga ana e bizneseve. Por nga ana tjetër edhe bankat duhet të bëjnë më shumë. Duhet të shpikin fusha të reja ku të investojnë.”

Optimizmi i ndrydhur i bizneseve është një dukuri që vihet re në shumë vende të Europës. Por a mund të dalë Shqipëria nga ky rreth?

“Shqipëria nuk ka një industri të zhvilluar përpunuese. Ne jemi të fortë në sektorin e energjisë, kemi potenciale të mëdha në turizëm dhe zinxhirin agroushqimor, por na duhet infrastrukturë më e mirë. Këto janë gjërat që duhet të promovojmë”, përgjigjet kryetari i shoqatës së bankave.

Megjithatë pritshmëritë e bankave për të ardhmen mbeten pozitive. Sipas Pedrazz-it rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë e qëndrueshme, ndërkohë që edhe kredia ka nisur të shfaqë shenja për rritje më të shpejtë.

Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of