Kredia për investime, rritje dyshifrore në kohë krize

18/12/2020 10:06 PM 0 komente

Në fund të muajit shtator, portofoli i kredisë për investime kishte vlerën e 195.7 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 11%. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kjo normë rritje është 65% më e lartë se rritja mesatare e portofolit të kredisë për biznesin në të njëjtën periudhë.

Tashmë, kredia për investime dominon huanë për biznesin, me rreth 55% të portofolit total. Rritja e peshës së kredisë për investime është një sinjal se kreditimi i bizneseve po bëhet më afatgjatë dhe i qëndrueshëm në kohë. Sidomos kreditë për pasuri të paluajtshme kanë afate më të gjata maturimi.

Kredia për investime jepet në pjesën më të madhe në euro dhe portofoli në monedhën europiane përbën rreth 58% të totalit.

 

BURIMI: BANKA E SHQIPËRISË

 

Ecuria e kredisë për investime paraqitet pozitive edhe pas goditjes së pandemisë në ekonomi. Kredia e re për investime arriti vlerën e 19 miliardë lekëve, ose 155 milionë eurove në tremujorin e tretë të vitit, në rritje për të dytin tremujor radhazi, madje në nivele edhe më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në raport me tremujorin e tretë 2019, kredia e re për investime u rrit me 57%.

Po të shohim të dhënat e detajuara, mbështetja kryesore e rritjes së kredisë për investime vazhdon të jetë kredia për pasuri të paluajtshme. Nga 19.1 miliardë lekë kredi e re e disbursuar gjatë tremujorit, rreth 60% ishte kredi për pasuri të paluajtshme. Njëlloj si individët, edhe bizneset duket se kanë shfaqur interes të lartë për të investuar në blerje ose ndërtim të pasurive të paluajtshme.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se interesat e kredisë për investime nga sektori bankar ngelen pranë niveleve më të ulëta historike. Në shtator, interesi mesatar i kredisë për blerje pajisjesh në lekë ishte 5.75%, ndërsa në euro 3.53%.

Ndërsa për kredinë për pasuri të paluajtshme, interesi mesatar në lekë ishte 4.91%, ndërsa në euro, 4.19%. Banka e Shqipërisë parashikonte përmirësim gradual të investimeve private në tremujorin e tretë të vitit, mbështetur në tregues të tërthortë, si rritja e importit të mallrave kapitale, pas një dinamike negative prej një viti e gjysmë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of