Sektori bankar ka rritur ndjeshëm kreditimin te jorezidentët në tremujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit mars, kredia e dhënë për huamarrës jorezidentë në Shqipëri arriti në 58.6 miliardë lekë. Që nga fillimi i vitit, ky portofol është rritur me 14.4 miliardë lekë, ose rreth 32.6%. Rritja është e ndjeshme edhe me bazë vjetore, me 10.4% më shumë. Mbështetur në statistikat e bilancit sektorial të bankave paradepozituese, në fund të muajit mars huaja për jorezidentët përbën rreth 8.8% të portofolit të sektorit bankar, nga rreth 8.2% që zinte një vit më parë.
Kredia për jorezidentët pësoi një rënie të ndjeshme në dy muajt e fundit të vitit të kaluar, duke prekur nivelet më të ulëta që prej thyerjes strukturore të portofolit që erdhi prej shndërrimit të degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë në një bankë të veçantë. Por, menjëherë me fillimin e këtij viti, kredia e dhënë jashtë vendit ka nisur të rritet sërish.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për subjektet jorezidente në pjesën më të madhe është kredi e dhënë për bizneset, e dominuar kryesisht nga maturiteti afatgjatë.
Kredia e sektorit bankar për jorezidentët arriti nivelet më të larta në mesin e vitit 2017. Një pjesë e madhe e kredisë jashtë vendit lidhej sidomos me aktivitetin e degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë. Pasi dega në fjalë u nda nga banka mëmë në Shqipëri, në fillim të vitit 2019, kjo kredi pësoi rënie të ndjeshme. Edhe në momentin kur kredia jashtë vendit arriti pikun, ajo ishte e kufizuar në pak banka të mëdha të sistemit. Këto banka vitet e fundit kanë kërkuar alternativa huadhënieje në vendet e rajonit, duke pasur parasysh edhe kërkesën e dobët dhe problemet specifike të kreditimit të biznesit në Shqipëri. Aktualisht, 52% e depozitave të publikut në sektorin bankar janë në valutë të huaj, por tregu i brendshëm nuk ofron alternativa të tjera të investimit të fondeve në valutë të huaj, përveç kredidhënies. Por, në vitet e fundit kreditimi po shfaqet gjithnjë e më i orientuar drejt lekut, i nxitur edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë për uljen e përdorimit të euros dhe për shmangien e rrezikut të kursit të këmbimit.
Duke hequr pjesën që mbahet në formën e rezervës së detyrueshme pranë llogarive të Bankës së Shqipërisë, për shumicën e fondeve të tjera në valutë duhet gjetur një zgjidhje për investimin ose mbajtjen e tyre jashtë vendit. Në kushtet e normave reale negative të interesit, vendosjet jashtë përgjithësisht nuk sjellin përfitime për bankat. Për këtë arsye, disa prej bankave të sistemit kanë eksploruar edhe tregjet e huaja të huadhënies, me fokus kryesisht te klientët biznes. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.