Kredia për mikrobiznesin ka pësuar rënie drastike

03/02/2021 1:02 PM 0 komente

Kredia për mikrobiznesin është tkurrur ndjeshëm në epokën e postkrizës që shkaktoi pandemia e Cocid-19. Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se, në fund të nëntorit, ky portofol kishte vlerën 13 miliardë lekë, në rënie me rreth 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia është edhe më e thellë po ta krahasojmë me muajin mars 2020, me një tkurrje prej 32%.

Duke iu referuar statistikave, rënia është ndjerë sidomos në kredinë me afat të gjatë maturimi (mbi 5 vjet). Për momentin, ky është i vetmi segment i sipërmarrjes ku kredia paraqitet në rënie dhe në nivele më të ulëta në raport me periudhën e parakrizës.

Sipas madhësisë, bizneset mikro janë segmenti më pak i kredituar nga sektori financiar i vendit, me një tepricë kredie që përbën vetëm 3.6% të totalit të portofolit për ndërmarrjet private. Mikrobiznesi në Shqipëri në përgjithësi ka vështirësi për të fituar akses në kredi nga sektori bankar, kryesisht për shkak të informalitetit dhe rreziqeve më të larta. Këto vështirësi janë tipike në sektorë të veçantë me rëndësi shumë të madhe në ekonomi, siç është, për shembull, bujqësia.

Përgjithësisht, mikrobizneset i plotësojnë nevojat për financim te institucionet financiare jo banka. Disa prej tyre, si për shembull Besa apo Fondi NOA, janë të specializuara pikërisht te kreditimi i bizneseve mikro dhe të vogla. Por, kostot e financimit në këto institucione janë më të larta, sepse edhe rreziku në segmentet e tregut të zotëruara prej tyre vlerësohet më i madh.

Në fund të vitit 2019, INSTAT raportonte 81 mijë ndërmarrje me një deri në katër të punësuar. Ato përbëjnë pothuajse 86% të numrit total të bizneseve në Shqipëri dhe rreth 28% të punësimit në sektorin privat jobujqësor. Por, pesha e tyre në ekonomi gjatë dekadës së fundit ka rënë, e shprehur kjo si peshë ndaj numrit total të bizneseve, ndaj punësimit dhe ndaj shitjeve totale në ekonomi.

Në vitet e fundit, tregu shqiptar po kalon një fazë përqendrimi edhe në segmentet e shërbimeve që më parë zotëroheshin kryesisht nga mikrobiznese, siç është tregtia me pakicë e mallrave të konsumit. Tashmë, korporatizimi po prek edhe shërbime bazike si farmacitë apo baret, ku po krijohen zinxhire dyqanesh të kontrolluara nga biznese të përmasave më të mëdha. Veç problemeve të lidhura me konkurrueshmërinë, edhe aksesi më i dobët në financim mund të jetë një faktor pse mikrobizneset po humbasin terren në ekonominë shqiptare./E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of