Tregu i pronave ka njohur një rritje të papritur pas pandemisë, i shoqëruar nga një zgjerim i shpejtë i kredisë bankare për këtë qëllim.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për blerjen e banesave në fund të muajit shtator arriti vlerën e 140.7 miliardë lekëve ose rreth 1.14 miliardë eurove. Që nga muaji mars 2020, kur ekonomia u godit nga pandemia e Covid-19, portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët është rritur me rreth 15.5%.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë për ecurinë e kredisë sipas qarqeve tregojnë se ecuria e kredisë për blerjen e pronave pas pandemisë ka pasur një tendencë pozitive në të gjithë vendin. Siç ishte e pritshme, rritja e kredisë për blerjen e pronave ka shënuar ritmet më të larta të rritjes në kryeqytet dhe në zonat me interes turistik. Të dhënat tregojnë se që nga marsi 2020 deri në fund të shtatorit 2021, rritja më e lartë e portofolit të kredisë ka ndodhur në qarkun e Lezhës, me rreth 23.6%. Lezha përfshin zona bregdetare që në vitet e fundit janë përfshirë nga një fluks shumë i madh ndërtimesh, kryesisht bregdeti i Shëngjinit dhe pjesërisht edhe ai i Tales.
Qarku i dytë me rritjen më të shpejtë të kredisë për blerjen e pronave është i Vlorës. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit kredia në këtë qark arrti në 4.2 miliardë lekë, me rritje prej 15.5% që nga fillimi i pandemisë. Edhe qarku i Vlorës në vitet e fundit ka tërhequr interes në rritje për blerje të pronave, përfshi këtu komplekset e reja në rivierën mes qyteteve të Vlorës dhe Sarandës. Qarku i tretë me rritjen më të shpejtë të huasë për blerjen e pronave është Tirana, me 12.25% që nga marsi 2020. Në vlerë, Tirana dominon dukshëm kredinë për blerje pronash, me një portofol total prej pothuajse 98 miliardë lekësh ose rreth 790 milionë eurosh në fund të muajit shtator. Kjo shifër përbën pothuajse 70% të portofolit total për blerjen e pasurive të paluajtshme në vend. Portofoli i kredisë në Tiranë megjithatë përfshin edhe një pjesë të konsiderueshme të financimeve për blerje pronash në zonat bregdetare.
Një tjetër qark ku kredia për prona është rritur me ritme të larta është ai i Korçës. Sipas Bankës së Shqipërisë, që nga fillimi i pandemisë deri në fund të shtatorit të këtij viti portofoli i kredisë është rritur me 13.2% dhe ka arritur vlerën totale të 2.4 miliardë lekëve.
Ndër qarqet e mëdha të vendit, rritja më e ulët e rkedisë për blerjen e pronave është regjistruar në qarkun e Durërsit, me vetëm 4.15%.
Rritja e shpejtë e çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka bërë që ato të shihen si një investim i mirë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të këtij viti Indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me me 6.7% krahasuar me një vit më parë./E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.