Megjithëse kreditimi i ekonomisë vijon të përmirësohet, hendeku mes ritmeve të huadhënies dhe rritjes ekonomike u thellua gjatë vitit të kaluar.
Në analizën e Bankës së Shqipërisë, treguesi parësor për të vlerësuar ritmet e kreditimit të ekonomisë është hendeku i raportit të kredisë për ekonominë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Ky raport tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me Prodhimin Kombëtar, duke shtuar, eventualisht, rreziqet sistemike.
Vlerësimi i fundit zyrtar i Bankës së Shqipërisë për këtë tregues i takon tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e katërt 2021 hendeku i raportit të kredisë ndaj PBB-së ishte -7.04 pikë përqindje, ndërsa një vit më parë kishte qenë afërsisht -6.24 pikë përqindje.
Thellimi i hendekut ka ardhur kryesisht për shkak të ritmeve të larta të rritjes ekonomike vitin e kaluar (rreth 8.5%, sipas vlerësimeve paraprake të INSTAT), megjithëse edhe kreditimi u rrit me vlera dyshifrore (10.2%, sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë për Tremujorin IV 2021).
Treguesi në fjalë është parësor në vendimmarjen e Bankës së Shqipërisë lidhur me nevojën eventuale për shtesa kundërciklike të kapitalit, një nga shtesat e parashikuara në rregulloren e vitit 2019 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”.
Deri tani, rritja e kreditimit është ende larg pragut krahasues që do të kërkonte masa frenuese, duke vendosur shtesë kundërciklike të kapitalit për sektorin bankar. Ky prag do të kalohej nëse devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë do të ishte pozitiv me më shumë se dy pikë përqindje.
Për shembull, në periudhën 2002-2008, periudhë që përfshin fazën me rritjen më të lartë të kreditimit të ekonomisë në Shqipëri, ky hendek kishte qenë pozitiv me 1.9 pikë përqindje.
Për periudhën nga fillimi i vitit 2009 deri në mesin e vitit 2021, hendeku kishte qenë negativ me -7.8 pikë përqindje. Në vitet e fundit, tendenca ka qenë përgjithësisht drejt një ngushtimi të vlerave negative, por duket se ato janë ende larg ringritjes në territor pozitiv.
Si plotësues të këtij treguesi parësor në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, shërbejnë disa elementë të tjerë, të grupuar tek treguesi i paralajmërimit të hershëm dhe që sinjalizojnë zhvillimet në kreditim dhe në aktivet jofinanciare, konkretisht tregun e pasurive të paluajtshme.
Këtu përfshihen rritja vjetore e kredisë bankare, ndryshimi vjetor i kredisë bankare për pasuri të paluajtshme, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave dhe ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave ndaj vlerës së qirasë. Treguesit plotësues dëshmojnë vijueshmëri në prirjen rritëse të kredisë, sidomos të asaj për pasuri të paluajtshme. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.