Kredia, rritet kërkesa e bizneseve për rifinancim borxhi dhe ristrukturim

20/10/2019 11:00 PM 0 komente

Bizneset e mëdha në vend kanë rritur kërkesën për kredi në banka me qëllim rifinancimin e borxhit dhe për ristrukturim.

Banka e Shqipërisë pohoi në një vrojtim të posaçëm për kredinë  se kërkesa për rifinancimin e borxhit të bizneseve nisi në tremujorin e tretë të vitit dhe do të vijojë edhe në tremujorin e fundit.

Pas një periudhe të gjatë negociatash me bankat tregtare  Banka e Shqipërisë miratoi më herët këtë vit një plan shpëtimi të pagëzuar si “Qasja e Tiranës”, për bizneset që kanë dështuar në shlyerjen e kredive në banka, me vlerë mbi 8 milionë euro.

Plani i shpëtimit, tashmë në fuqi, nisi të aplikohet në muajin shtator për 9 korporata, nga grupi i të 35 kompanive që ishin problematike në kthimin e huave dhe konsiston në ristrukturimin  kredive të këqija.

Ristrukturimi këtyre kompanive mësohet të ketë rritur kërkesën për hua bankare në tremujorin e tretë.

Sipas planit të Bankës së Shqipërisë bizneset me kredi të keqe, vlera e së cilës i kalon 100 milionë lekët (rreth 8 milionë euro) në disa banka kanë mundësi të rinisin aktivitetin dhe të dalin nga gjendja e falimentit, të ndihmuara nga vetë bankat.

Korporata në bashkëpunim me bankat kreditore, harton një plan zgjidhjeje të plotë, transparent dhe të realizueshëm, duke përfshirë një analizë të industrisë dhe një parashikim të arsyeshëm të rrjedhjes së parave (cash-flow), brenda tri javësh.

Banka Udhëheqëse, pasi ka negociuar me debitorin, propozon një marrëveshje, për të cilën çdo bankë voton individualisht. Marrëveshja miratohet me një shumicë që kërkon miratimin e bankave që mbajnë të paktën 65% të detyrimit total të debitorit dhe mbi 50% të numrit të bankave kreditore. Kur arrihet një marrëveshje e detyrueshme, bankat kreditore bien dakord që të nënshkruajnë planin për trajtimin jashtëgjyqësor të debitorit.

Në bashkëpunim me Bankën Udhëheqëse, mund të emërojë një këshilltar, duke përfshirë këshilltarin financiar, teknik ose ligjor, për të përgatitur dhe për të zhvilluar një plan të zbatueshëm dhe ka përgjegjësinë për të paguar kostot dhe tarifat e këshilltarit.

Pas goditjes që bankat pësuan pas krizës ekonomike të vitit 2008 nga moskthimi i huave, të cilat kulmuan në 24,9% të totalit të kredisë së dhënë në shtator 2014, me vlerë mbi 1 miliard euro, institucionet ndërkombëtare financiare u angazhuan për të zgjidhur ngërçin që po mban peng kreditimin normal të ekonomisë sot e kësaj dite.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of