Janë dy sektorët që kanë marrë hua nga bankat gjatë muajit korrik, tregtia, e ndjekur nga industria nxjerrëse.
Sipas statistikave të detajuara të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit korrik, stoku i huasë për sektorin e tregtisë arriti në 136.9 miliardë lekë, duke u rritur me 1.3% me bazë mujore.
Tregtia rezulton sektori që ka udhëhequr rritjen e kreditimit përgjatë gjithë vitit 2014, teksa stoku i huasë për këtë sektor është zgjeruar me 2.4% në raport me dhjetorin 2013 (në vlerë absolute rritja është 3.2 miliardë lekë, nga 1 miliardë lekë që është shtuar huaja për të gjithë sektorët, për shkak se shumë segmente të tjera kanë parë një tkurrje të huadhënies).
Tregtia zë peshën kryesore në stokun e huasë së bankave, me 35% të totalit në fund të korrikut 2014, e ndjekur nga industria përpunuese, me 14% të totalit; ndërtimi me 13%.
Kredia për industrinë nxjerrëse u rrit sërish në korrik, me 21.6% me bazë mujore, pasi ishte tkurrur në muajt e mëparshëm. Ky sektor zë vetëm 1.8% të totalit të huasë së sektorit bankar.
Sektorët e tjerë kanë parë një rënie, ose rritje të lehtë të huasë në pjesën e parë të këtij viti. Më e thellë ka qenë tkurrja e kredisë për shëndetin dhe veprimtaritë sociale.