Interesi mesatar për kredinë e re në lekë dhënë biznesit në tremujorin e dytë rezultoi 5.1%, duke rënë nga niveli 5.5% i shënuar në tremujorin e parë të vitit dhe nga mesatarja prej 6.0% e vitit të kaluar, raportoi Banka e Shqipërisë. Dinamika mujore tregon se interesat e kredisë janë ulur kryesisht në muajin maj, pasi prej këtij muaji është e pranishme garancia shtetërore e ofruar nga qeveria për kapërcimin e situatës së krijuar nga Covid-19, raportoi Banka e Shqipërisë.
Krahasuar me tre muajt e parë të vitit, interesat e kredisë janë ulur tek kreditë me madhësi deri në 35 milionë lekë dhe ato me madhësi 35 deri 140 milionë lekë. Ndërkohë, interesat e aplikuara për kreditë e mëdha (mbi 140 milionë lekë) përgjithësisht gjenden në nivel më të lartë dhe kanë shfaqur rritje që prej muajit janar.
Interesi i kredisë me maturitet mbi një vit, i cili përafron kredinë për investime, regjistroi rënie të theksuar, veçanërisht në muajin maj. Interesi i kredisë për individët shënoi gjithashtu rënie në tremujorin e dytë të vitit. Ai rezultoi 5.9%, nga 6.8% që regjistronte në tremujorin e parë dhe 6.5% vitin e kaluar.
Individët kanë përfituar nga ulja e normave të interesit tek kategoria e financimit të konsumit, ndërkohë që interesat e kredisë për blerjen e banesave janë shfaqur të luhatshme edhe mesatarisht më të larta se në tremujorin e parë. Kjo ecuri faktorizon normat më të larta për kredi për blerje banese në muajin prill, ndërkohë që në muajt maj dhe qershor, këto norma kanë rënë sërish. Diferencat mes interesave të kredisë në lekë dhe atyre në euro janë ngushtuar, si për bizneset ashtu edhe për individët, duke reflektuar kryesisht uljen e interesave të kredisë në lekë.
Interesi mesatar i kredisë së re në euro për bizneset në tremujorin e dytë ka rezultuar i njëjtë me tremujorin e parë, në 5.3%, si dhe afër mesatares së vitit të kaluar 5.1%. Ashtu si në rastin e kredisë në lekë, interesat e kredisë për shuma mbi 140 milionë lekë kanë shfaqur rritje në këtë pjesë të vitit. Edhe interesat e kredisë për individët, prej 4.1% në këtë tremujor, nuk kanë ndryshuar nga tremujori i kaluar dhe mesatarja e vitit 2019.
Kredia për sektorin privat është rritur me rreth 6.8% në tremujorin e dytë të vitit 2020, normë kjo e ngjashme me atë të shënuar një tremujor më parë. Ruajtja e ritmeve të rritjes është ndikuar nga masat e marra nga autoritetet monetare dhe fiskale për të mbështetur kreditimin e bizneseve në kushtet e vështira ekonomike të krijuara nga pandemia. Nga njëra anë, shtyrja e pagesës së kësteve ka ndihmuar në uljen e ndjeshme të amortizimit të portofolit të kredisë, duke kontribuar me 70% në rritjen tremujore të portofolit.
Nga ana tjetër, funksionimi i skemës së parë të garancisë sovrane dhe fillimi i zbatimit të skemës së dytë kanë ndihmuar procesin e kredidhënies. Në muajin qershor, kreditë e disbursuara ishin rreth 15% më të larta se një vit më parë, duke ndryshuar tendencën tkurrëse të vërejtur në muajt e parë të pandemisë. Këta faktorë kanë ndikuar veçanërisht në rritjen e kredisë për biznese dhe në përmirësimin e normave të rritjes së kredisë në lekë në 10.3% (krahasuar me 10.1% në T1). Të dy këto portofole janë ndihmuar edhe nga lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare si pasojë e masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.