Bankat nuk i ndryshuan kushtet e kreditimit në tremujorin e tretë të vitit, teksa kërkesa e biznesit për kredi ishin më të larta këtë tremujor. Banka e Shqipërisë në vrojtimin e kredisë për tremujorin e tretë të vitit vuri në dukje se standardet e kreditimit mbetën të pandryshuara si për bizneset edhe për individët në tremujorin e tretë, ndërkohë që ato për individët priten të lehtësohen në tremujorin e fundit të vitit 2019.
Bazuar në gjykimin e bankave, kërkesa për kredi pritet të jetë më e lartë në tremujorin e katërt të vitit, si në kategorinë e bizneseve, ashtu edhe atë të individëve.
Në kategorinë e bizneseve kërkesa e shtuar për kredi pritet të manifestohet si në kreditë për investime, ashtu edhe në ato për financimin e nevojave për likuiditet, në të dyja ndarjet e madhësisë së biznesit. Po ashtu, edhe tek individët kërkesa më e lartë për kredi pritet të jetë rezultante e nevojave më të larta për financim të konsumit, si edhe blerjes së banesave.
“Penalizohen” bizneset e mëdha
Standardet e kreditimit Standardet e kreditimit për bizneset u raportuan të pandryshuara në tremujorin e tretë. Bankat u shprehën se aplikuan standarde të njëjta kreditimi si një tremujor më parë, si në kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve, ashtu edhe në ato për plotësim të nevojave për likuiditet nga ana e bizneseve.
Në kategorinë e bizneseve të vogla e të mesme, standardet e kreditimit u lehtësuan disi , ndërkohë që për kreditë dhënë bizneseve të mëdha standardet mbetën të pandryshuara. Në tremujorin e fundit të vitit bankat nuk presin ndryshim të standardeve të kreditimit për bizneset, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në atë të qëllimit të përdorimit të kredisë
Si faktorë me ndikim pozitiv në lehtësimin e standardeve të kreditimit për bizneset, bankat raportuan shtimin e konkurrencës në sistemin bankar, rrezikun më të ulët të perceptuar lidhur me kolateralin, si dhe kostot dhe kufizimet më të ulëta që burojnë nga pozicioni kapital apo i likuiditetit të vetë bankave.
Në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit vijuan të raportohen faktorët që përafrojnë perceptimin e rrezikut nga ana e bankave, të lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit dhe situatën ekonomike e perspektivën për të. Po ashtu, edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut veproi në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit.
Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja akorduar bizneseve mbetën të pandryshuar nga një tremujor më parë. Reduktimi i marzheve mbi kreditë normale, së bashku me shtimin e madhësisë së kredisë, ndikuan në kahun lehtësues të kushteve dhe termave të përgjithshëm. Në të kundërt, shtimi i marzheve mbi kreditë me rrezik, si edhe kushtëzimet më të larta në marrëveshjen e kredisë vepruan në kahun shtrëngues të kushteve dhe termave të kreditimit për bizneset.
Bankat raportuan shtimin e konkurrencës në sistemin bankar dhe kostot e kufizimet më të ulëta nga bilanci si faktorë me ndikim pozitiv në kushtet dhe termat e kreditimit. Ndërkohë, perceptimi i rrezikut u raportua si faktor që ndikoi në kahun shtrëngues të kushteve dhe termave të kreditimit.
Kërkesa për kredi e bizneseve u raportua më e lartë në tremujorin e tretë. Kërkesa e shtuar për kredi u evidentua në të dyja kategoritë e bizneseve, si në biznesin e madh, ashtu edhe në atë të biznesit të vogël e të mesëm. Në këndvështrimin e qëllimit të përdorimit, shtimi i kërkesës për kredi ishte e fragmentuar: kërkesa u raportua më e ulët në financimin e investimeve dhe më e lartë për mbulimin e nevojave për likuiditet.
Në tremujorin e fundit të vitit 2019, bankat presin një shtim të kërkesës për kredi nga ana e bizneseve, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë. Bankat perceptuan se zgjerimi i kërkesës për kredi në tremujorin e tretë u nxit kryesisht nga: shtimi i nevojave për financimin e inventarëve, kapitalit qarkullues dhe të investimeve për rifinancimin e 5 borxheve ekzistuese, si edhe për ristrukturimin e kompanive; nga situata e perceptuar ekonomike dhe perspektiva e saj; si edhe kreditë nga bankat dhe jo bankat. Si faktorë që ndikuan negativisht rritjen e kërkesës për kredi nga ana e bizneseve, u raportuan besimi i biznesit dhe rritja e financimit nga burimet e brendshme të vetë bizneseve.
Kushtet nuk ndryshojnë as për individët
Standardet e kreditimit për individët mbetën të pandryshuara në tremujorin e tretë të vitit 2019, si në kreditë dhënë me qëllim blerje banesash, ashtu edhe në kreditë konsumatore. Për tremujorin e fundit të vitit, bankat u shprehën se presin të aplikojnë standarde më të lehtësuara mbi kreditë akorduar individëve, në të dyja kategoritë.
Trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistemin bankar vijon të raportohet si faktor që ndikon në lehtësimin e standardeve të kreditimit për individët. Ndërkohë, në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit për tremujorin e tretë, rezultoi perceptimi i rrezikut lidhur me zhvillimet aktuale dhe ato të pritshme në tregun e banesave
Faktorët që diktojnë kushtet dhe termat e kreditimit në kreditë akorduar individëve janë raportuar të pandryshuar me një tremujor më parë. Faktorët që diktojnë kushtet dhe termat e kreditimit në kreditë akorduar individëve janë raportuar të pandryshuar me një tremujor më parë.
Kërkesa për kredi Kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e lartë në tremujorin e tretë të vitit, nxitur kryesisht nga rritja e kërkesës për kredi konsumatore. Bazuar në opinionin e bankave, kërkesa për kredi e individëve pritet të jetë më e lartë në tremujorin e fundit të vitit 2019, e diktuar nga nevoja më e lartë për financimin e konsumit dhe të blerjes së banesave.
Në kahun rritës të kërkesës për kredi nga ana e individëve, sipas gjykimit të bankave ndikuan: nevojat më të larta në financim, si në blerjen e banesave, ashtu edhe për konsum; besimi konsumator; si edhe përdorimi më i ulët i burimeve alternative të financimit nga individët. Si të vetmin faktor që ka vepruar në kahun rënës të kërkesës për kredi bankat raportuan zhvillimet aktuale dhe të pritshme në tregun e banesave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.