Raporti i kredive të këqija ndaj kapitalit aksioner të sektorit bankar shqiptare ka rënë në nivelin më të ulët të shtatë viteve të fundit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi që mat raportin mes kredive me probleme, neto nga provigjionet, me kapitalin aksioner të bankave për muajin janar të këtij viti ra në 9.7%. Kjo është hera e parë që ky tregues bie në nivele njëshifrore qysh prej marsit 2014, kur Banka e Shqipërisë ka nisur ta publikojë këtë tregues mbi baza periodike mujore. Në mars të 2014, ky tregues ishte në nivelin 45.8%, çka ilustron qartë përmirësimet gjatë shtatë viteve të fundit.
Raporti ndërtohet duke zbritur fillimisht nga vlera e kredive me probleme provigjionet e llogaritura mbi to dhe duke e pjesëtuar mbetjen me kapitalin aksioner të sektorit. Si indikator i shëndetit financiar, ai tregon në thelb se në çfarë mase kreditë e këqija mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e bankave. Në vitet kur kreditë e këqija, edhe pas zbritjes së provigjioneve, përbënin pothuajse gjysmën e kapitalit aksioner të sistemit, natyrshëm ky rrezik ishte më i lartë. Rënia në nivele njëshifrore dëshmon se sot sistemi bankar është më pak i rrezikuar nga kreditë e këqija.
Megjithatë, duhet pasur parasysh se vlera e kredive të këqija ende nuk i reflekton plotësisht efektet e krizës në ekonominë shqiptare. Pas shfuqizimit të masave të përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, në muajin Mars, është e arsyeshme të mendohet se stoku i kredive me probleme mund të rritet, me efekte negative edhe në treguesit e lidhur rregullatorë, si raporti i kredive me probleme ndaj totalit të tyre apo edhe raporti i kredive me probleme ndaj kapitalit aksioner.
Gjatë gjithë vitit të kaluar dhe në janar 2021, raporti i kredive me probleme ishte i qëndrueshëm në intervalin mes 8.1 dhe 8.3%. Edhe raporti i kredive me probleme ndaj kapitalit aksioner shfaqi një tendencë të ngjashme, por me një kah më të orientuar drejt rënies. Në fund të janarit ky tregues zbriti në 9.7%, nga 11.4% që kishte qenë një vit më parë.
Rënia e tij mund të jetë ndikuar ndjeshëm nga fakti që bankat janë treguar mjaft aktive në provigjionim vitin e kaluar, por edhe nga rritja e kapitalit aksioner, i mbështetur nga vijimësia e performancës financiare fitimprurëse të sektorit bankar. Në fund të vitit 2020, kapitali aksioner i sektorit bankar kishte vlerën e 164 miliardë lekëve ose rreth 1.33 miliardë eurove. Krahasuar me një vit më parë, kapitali aksioner është rritur me 10 miliardë lekë ose 6.5%./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.