Kreditë me probleme vijojnë rritjen, arrijnë 23.6% në shkurt

11/04/2013 9:53 AM 0 komente

kredite me problemeNdërkohë që pritet që masat që ka marrë Banka e Shqipërisë së fundmi për të përshpejtuar dhe rregulluar procesin e ekzekutimit të kolateralit të bëhen funksionale, kreditë me probleme kanë vazhduar rritjen gjatë dy muajve të parë të vitit. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, niveli i kredive me probleme në shkurt 2013 arriti në 23.6%, nga 23.2% që ishte në shkurt dhe më pak se 23% që u mbyll viti 2012.

Ndërkohë që bankat merren me menaxhimin e kredive me probleme, huaja për ekonominë prej muajsh ka ngecur në vend. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, dy muajt e parë të vitit nuk kanë arritur që të zgjerojnë huadhënien për bizneset apo individët.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kredisë për ekonominë në fund të muajit shkurt ishte 551.6 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel si në janar, por duke rezultuar gati 1% më i ulët në krahasim me dhjetorin e vitit 2012.

Në krahasim me shkurtin e 2012-s, stoku i huasë për ekonominë është rritur vetëm me 1.7%.

Ndërkohë Banka e Shqipërisë ka bërë publike së fundmi një paketë masash për të nxitur kreditimin dhe rregulluar procesin e ekzekutimit të kolateralit.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë diskutoi dhe miratoi disa ndryshime në kuadrin rregullativ që synojnë të përmirësojnë ofertën e kreditimit nga ana e sektorit bankar, si edhe të mbështesin procesin e ristrukturimit të kredisë që në momentin që kredimarrësit shfaqin problemet e para.

Më konkretisht, për të nxitur kredidhënien, ndryshimet rregullative parashikojnë heqjen e kërkesave për kapital për rritjen vjetore të stokut të kredisë për ekonominë, nëse ajo është midis 4%-10%.  Njëkohësisht, ndryshimet rregullative parashikojnë rritjen e kërkesave për kapital për shtesën e investimeve të sektorit bankar me institucionet financiare jorezidente. Në këtë kuadër, ndryshimet rregullative parashikojnë që bankat, sipas profilit të rrezikut të përfitojnë edhe një ulje të përgjithshme me 5 pikë përqindje të kërkesës rregullative për nivelin e raportit minimal të likuiditetit në total, për lekun dhe për valutën, në krahasim me nivelin ekzistues. Për bankat që kanë një nivel relativisht më të ulët të normës së mjaftueshmërisë së kapitalit, këto ndryshime pritet t’i nxisin ato të zhvendosin mjetet e tyre financiare drejt kredidhënies për ekonominë, duke qenë se kjo mund të shoqërohet edhe me një ulje të kostos së veprimtarisë bankare dhe përmirësim të rezultatit financiar.

Për të adresuar dukurinë e rritjes së kredive me probleme, ndryshimet rregullative mundësojnë ristrukturimin e kredisë që në fazën kur ajo kategorizohet si kredi e rregullt, por kredimarrësi ka nisur të shfaq problemet e para në pagesën e kredisë. Qëllimi është që, me kushtet e reja të kredisë pas ristrukturimit, të ruhet aftësia paguese e kredimarrësit dhe cilësia e kredisë. Kjo kredi do të vijojë të klasifikohet si kredi e rregullt (në dy klasat e para të kategorizimit) por do të kërkojë një normë provigjionimi më të lartë, prej 10 për qind. Për të verifikuar vlefshmërinë e ristrukturimit, kuadri rregullativ parashikonte qëndrimin e kredisë së ristrukturuar në të njëjtën kategori për të paktën 9 muaj ose derisa kredimarrësi të ketë paguar tre këste të kredisë. Për t’i bërë bankat më të interesuara drejt procesit të ristrukturimit, ndryshimet rregullative parashikojnë uljen e këtij afati në nivelin 6 muaj.

 

kredite me probleme

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

BUrimi: Banka Shqiperise, Shoqata e Bankave

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of