Raporti i kredive me probleme u konfirmua i qëndrueshëm edhe për muajin shkurt. Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, ky tregues ishte 8.15%, me një rënie të lehtë nga niveli 8.2% i muajit janar.
Raporti i kredive me problemë të sektorit financiar në Shqipëri është pothuajse në të njëjtat nivele me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pavarësisht një viti të kaluar nën efektet e krizës ekonomike që shkaktoi pandemia. Në dy muajt e parë të vitit, ritmet e rritjes së portofolit të kredisë janë ngadalësuar dhe teprica në fund të shkurtit ishte në nivele të përafërta me fundin e vitit 2020. Stabiliteti i raportit të kredive të këqija për të njëjtën vlerë portofoli tregon se ato nuk kanë shënuar rritje të rëndësishme as në vlerë absolute. Stoku i kredive me probleme aktualisht vlerësohet në afërsisht 50 miliardë lekë ose pak më shumë se 400 milionë euro.
Deri në këtë moment, strategjia e Bankës së Shqipërisë për të favorizuar ristrukturimin e kredive me masa rregullatore lehtësuese duket të ketë funksionuar mirë. Bankat kanë vazhduar kreditimin dhe raporti i kredive të këqija është i stabilizuar prej më shumë se një viti. Masat e përkohshme që lidheshin me pezullimin e nevojës për të provigjionuar dhe për të riklasifikuar kreditë e ristrukturuara ishin të vlefshme deri në muajin mars. Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk ka parashikuar shtyrje të mëtejshme, ndaj gjatë muajve në vazhdim mund të ndihet efekti i përfundimit të këtyre masave. Ky efekt, me shumë të ngjarë, mund të sjellë një rritje të raportit të kredive me probleme.
Bankierët e pyetur nga revista “Monitor” mendojnë se përkeqësimi i cilësisë së portofolit të kredisë pritet të jetë në përmasa të vogla dhe do të rikuperohet relativisht shpejt. Ata shprehen se përgjithësisht bankat kanë llogaritur fonde rezervë për një keqësim të pritshëm të cilësisë së kredisë dhe, nëse ky efekt materializohet, nuk presin impakt të madh në treguesit e tyre financiarë.
Optimizmi i bankierëve lidhet me përmirësimin e pritshëm të situatës epidemike dhe me përparimin e procesit të vaksinimit. Lehtësimi gradual i masave shtrënguese në nivel europian dhe global pritet t’iu japë frymëmarrje sektorëve jetikë për ekonominë shqiptare, si turizmi, transporti dhe aktivitetet e lidhura me to. Në parashikimet e tyre, bankierët nënvizojnë të gjithë rëndësinë që do të ketë sezoni turistik për rimëkëmbjen ekonomike dhe, rrjedhimisht, edhe për aftësinë paguese të huamarrësve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.