Kreditë me probleme do të rriten, por bankat janë të përgatitura

16/01/2021 10:02 PM 1 koment

Intervistë me Spiro Brumbulli, Sekretar i Shoqatës Shqiptare të Bankave

 

Sektori bankar e kaloi me sukses sprovën e goditjes së papritur nga pandemia, por sfidat janë ende përpara. Në një intervistë për revistën “Monitor”, Sekretari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, thotë se viti 2020 besohet të jetë mbyllur me rezultate financiare pozitive për sektorin, ndonëse në nivele më të ulëta se viti i kaluar. Pandemia solli rritje të kostove operative, ndërsa bankat janë treguar aktive në rritjen e provigjioneve, për t’i paraprirë një rritje të pritshme të kredive me probleme gjatë vitit 2021.

Zoti Brumbulli thotë se rritja e kredive me probleme do të jetë e pashmangshme, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së bilanceve të familjeve dhe ndërmarrjeve. Megjithëse përmasat e këtij keqësimi janë të vështira për t’u parashikuar, z. Brumbulli mendon se keqësimi i cilësisë së kredisë nuk do të jetë në përmasat që solli kriza e pasvitit 2008.

 

Si do ta vlerësonit performancën e sektorit bankar gjatë vitit 2020? Sa u ndien pasojat e krizës dhe në cilat drejtime ato ishin më të prekshme?

Viti 2020 është pranuar gjerësisht si një vit i paprecedentë. Lajtmotivi i këtij viti ka qenë pandemia: mbyllje, hapje, masa kufizuese, ndihmë financiare, masa lehtësuese. Ky ka qenë fjalori që ka karakterizuar institucionet shtetërore dhe autoritetet publike. Individi dhe bizneset, gjatë këtij viti, janë detyruar të tërhiqen, të mbyllen, të jenë më pak aktivë, sepse mbrojtja e shëndetit nga Covid-19 ishte më e rëndësishme se rreziku i vazhdimit të jetës normalisht.

Në këto kushte, bankat, si pjesë e ekonomisë dhe shoqërisë, duke treguar kujdes të skajshëm për shëndetin e punonjësve dhe klientëve, nuk ndërprenë për asnjë moment shërbimin, duke dhënë një shembull të modernizimit të shoqërisë tregtare nga pikëpamja organizative, rregullative, parashikuese dhe profesionale. U tregua kujdes me logjistikën dhe me zbatimin e përpiktë të protokolleve të vendosura nga autoriteti përkatës shtetëror. Kjo çoi në rritje të disa kostove të paparashikuara, si dhe në një organizim të ri të punës, duke përdorur për herë të parë në mënyrë masive të punuarit online nga shtëpia.

Në përgjigje të vendimeve të Bankës së Shqipërisë për trajtimin e kredimarrësve me masa lehtësuese, bankat përballuan fluksin e kërkesave për shqyrtim për shtyrjen e kësteve të kredive, duke gjetur zgjidhje ligjore të shpejta dhe pa burokraci. Vlerësohet që nga shtyrja e kësteve t’u jenë lënë kredimarrësve në duar mbi 120 milionë euro gjatë periudhës së moratoriumit.

Në mbështetje të politikave dhe masave qeveritare për të mbështetur bizneset e mbyllura, punonjësit e tyre dhe nevojën për likuiditet, nëpërmjet dy garancive shtetërore, bankat siguruan vazhdimësinë e procesit dhe moslejimin e krijimit të vështirësive.

Nga ana tjetër, bankat vazhduan me produktet dhe shërbimet e tyre, duke ofruar kredi të reja, duke mbledhur depozita dhe duke zhvilluar më tej shërbimet dhe ofertat për pagesat online dhe e-banking. Ky vit do veçuar për domosdoshmërinë e përdorimit të pagesave elektronike dhe për shumë individë që për herë të parë përdorën llogarinë bankare nëpërmjet kanaleve elektronike. Ne shpresojmë që viti të mbyllet me një fitim më të ulët se viti i kaluar, me kapital më të fortë (nuk është kryer asnjë shpërndarje dividendi) dhe me përvojë më solide.

 

Cilat do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2021? Besoni se do të ketë një rritje të raportit të kredive me probleme dhe sa mund t’i ndikojë ky faktor perspektivat e rritjes së biznesit?

Viti 2020 duket se është i mbarsur me një problem të pritshëm, edhe pse pa e ditur se sa do të jetë madhësia e tij. Rënia e PBB-së dhe rritja e papunësisë gjatë vitit 2020 me siguri krijon vështirësi reale dhe objektive në ecurinë e bizneseve dhe në punësimin e individëve.

Këto vështirësi përkthehen financiarisht në pamundësi pagese. Pra, jo të gjitha kreditë do të shlyhen në mënyrë të rregullt. Me gjithë efektet pozitive të moratoriumit, nuk përjashtohen rastet e mbylljes (falimentit) dhe pamundësisë së gjetjes së një pune të re. Kjo do të thotë se kreditë e këqija në vitin 2021 do të njohin një tjetër panoramë.

Presim të rriten, edhe pse jo më si pas krizës së viteve 2008 – 2010. Fundi i 3-mujorit të parë do të na tregojë më shumë, në rast se nuk ka ndonjë shtyrje të masave lehtësuese nga ana e Bankës së Shqipërisë, në të kundërt, do të jetë ndoshta mesi i vitit momenti kohor i njohjes më të plotë të efektit negativ të pandemisë në portofolin e kredive. Bankat kanë filluar të marrin masa paraprake, duke rritur provigjionet në mënyrë të përgjithshme, në mënyrë që të mos gjenden të papërgatitura nga ajo që do të na tregojë viti 2021.

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2020? Prisni një rimëkëmbje të shpejtë apo efektet e pandemisë së Covid-19 do të vazhdojnë të jenë të forta?

Viti 2020 do të mbyllet siç është parashikuar nga shumë institucione ndërkombëtare, por edhe nga analistë dhe institucionet vendase, me rënie të PBB-së dhe rritje të numrit të papunësisë. Ajo që po presim është që rënia të mos jetë si ajo e 3-mujorit të dytë (-10.2%), por më e butë. Ndërkohë, në dallim me 6-mujorin e parë, 6-mujori i dytë paraqitet më aktiv, më i rimëkëmbur dhe kjo periudhë do të amortizojë një pjesë të efekteve shumë negative të 6-mujorit të parë.

Rimëkëmbja do të marrë kohën e vet deri në normalizim. Nëse me normalizim do të kuptojmë rikthimin në rritje pozitive të PBB-së, kjo shpresojmë shumë (në kushtet e mosmbylljes) do të ndodhë me vitin 2021. Nëse me normalizim do të kuptojmë arritjen e niveleve të vitit 2019, kjo do të marrë një periudhë më të gjatë se viti 2021. Rritja nuk varet vetëm nga ne, nga faktorë të brendshëm shqiptarë. Si ekonomi e hapur dhe e lidhur me tregjet e tjera ndërkombëtare, shumë do të ndikojë edhe klima dhe normalizimi në këto vende.

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
Anonymous Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Anonymous
Guest
Anonymous

Brumbulli po BSH eshte optimiste, ju pse pesimist?