Kreditë me probleme, rritje e lehtë në muajin e daljes nga moratoriumi

10/11/2020 11:02 AM 1 koment

Raporti i kredive me probleme u rrit lehtë për muajin shtator dhe arriti në 8.3%, nga 8.13% që kishte qenë për gushtin.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se as në muajin e parë të daljes nga moratoriumi i pagesave ky tregues nuk shënoi rritje shumë të lartë. Kjo ishte e pritshme, duke qenë se afati i përcaktuar nga kërkesat rregullatore të Bankës së Shqipërisë për t’i klasifikuar kreditë si problematike është të paktën 90 ditë.

Raporti i kredive me probleme është rreth dy pikë e gjysëm më i ulët krahasuar vitin e kaluar dhe gjatë gjithë vitit 2020 ka qenë mjaft i qëndrueshëm në intervalin me 8.1% dhe 8.3%.

Megjithatë, gjatë tremujorit të tretë bankat kanë ndjekur një qasje më të kujdesshme dhe kanë rritur ndjeshëm provigjionet krahasuar me dy tremujorët e parë të vitit.

Ndërkohë që bankat duhet ende të kuptojnë pasojat e valës së parë të Covid-19 në ekonomi, vala e dytë që po imponon vendosjen e kufizimeve të reja rrezikon të sjellë të tjera dëme për ekonominë dhe tërthorazi, edhe për sektorin bankar. Duke qenë se masat e përkohshme rregullatore janë shfuqizuar, tashmë efektet e valës së dytë të pandemisë mund të përcillen më shpejt. Deri në mesin e këtij viti, bankat dhe institucionet financiare shtynë rreth dy miliardë euro portofol kredie, ndërsa një pjesë e huamarrësve vendosën të përfitonin edhe nga periudha e dytë e shtyrjes, në periudhën qershor-gusht.

Nëse ekonomia mbyllet sërish, Banka e Shqipërisë mund të vendoset para dilemës për të riaktivizuar masat prudenciale që mori në pjesën e parë të këtij viti. Megjithatë, në deklarimet e fundit publike, drejtuesit e saj kanë lënë të kuptohet se janë kundër përcjelljes së mëtejshme të kostove të krizës te bankat, çka nënkupton se një moratorium tjetër në bllok nuk është një zgjidhje e preferueshme.

Në pritje për të krijuar një ide më të qartë për faturën e krizës, sektori bankar në Shqipëri ka aktualisht 50 miliardë lekë ose rreth 400 milionë euro kredi me probleme. Në pesë vitet e fundit, janë fshirë rreth 65 miliardë lekë kredi të humbura. Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve, Banka e Shqipërisë vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura, nga tre vjet në dy vjet. Kjo pritet t’i japë një shtysë të re fshirjeve, sidomos në tremujorin e fundit të vitit, që është periudha kur bankat zakonisht ndërmarrin pjesën më të madhe të fshirjeve.

Burimi: Banka e Shqipërisë

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
JudeHolloway Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
JudeHolloway
Guest
JudeHolloway

Nice