Huatë me probleme kanë shënuar një tjetër rënie në muajin shtator, duke zbritur në 10.6%, sipas statistikave të publikuara nga banka e Shqipërisë. Ky është niveli më i ulët që nga fillimi i vitit 2009. Më pas treguesi filloi të rritej me shpejtësi, për të arritur në 25% në shtator të vitit 2014.
Nga ajo kohë, pas një strategjie të ndërmarrë nga banka e Shqipërisë, që përfshinte ndër të tjera dhe ristrukturimin e huave, treguesi shënoi ulje, duke zbritur në 11% në fund të 2018-n.
Pas një rritjeje të lehtë në pjesën e parë të 2019-n, kreditë që kanë të paktën tre vjet që nuk kthehen në banka, në raport me totalin filluan sërish uljen.
Pozitivisht në uljen e treguesit ka ndikuar dhe rritja e kredisë për ekonominë. “Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.5% në tremujorin e tretë. Përshpejtimi i ritmit të rritjes i dedikohet si zgjerimit të kërkesës, ashtu dhe përmirësimit të ofertës së kredisë bankare. Kjo e fundit, pasqyron jo vetëm përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të kreditit dhe të bilancit të sektorit bankar – sikundër tregohet nga rënia në nivelin 10.6% e raportit të kredive me probleme – por edhe rritjen e konkurrencës në sistem, me përfundimin e procesit të konsolidimit të sektorit bankar. Nga pikëpamja e kompozimit, përshpejtimi i ritmit të rritjes së kredisë ka pasur një bazë të gjerë, në terma të strukturës valutore, të përfituesve, si dhe të destinacionit të saj. Ky është një sinjal tjetër inkurajues për zgjerimin e kredisë në të ardhmen”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në daljen e fundit publike.
Pak kohë më parë, Banka e Shqipërisë miratoi një plan shpëtimi të pagëzuar si “Qasja e Tiranës”, për bizneset që kanë dështuar në shlyerjen e kredive në banka, me vlerë mbi 8 milionë euro. Plani i shpëtimit, tashmë në fuqi, pritej të aplikohej nga shtatori për 9 korporata, nga grupi i të 35 kompanive që ishin problematike në kthimin e huave.
Rregullorja e pagëzuar me emrin “Qasja e Tiranës”, e ngjashme me “Modelin Podgorica”, synon të ristrukturojë të paktën 9 korporata të mëdha në vjeshtë, pjesë e 35 bizneseve të mëdha në vend që zotëronin 65% të kredisë me probleme në vitin 2015. “Qasja e Tiranës” u miratua së fundmi nga Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dhe do të aplikohet në vijim për të gjitha bizneset që dështojnë të shlyejnë shumat e kredisë mbi 8 milionë euro.
Së fundmi, Banka e Shqipërisë ka rishikuar rregulloren për fshirjen e kredive me probleme, ku tashmë ky proces do të realizohet kur kredia nuk kthehet për më shumë se dy vite, jo tre vite siç ishte më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.