Kreditë me probleme zbresin në 8.11%, niveli më i ulët që nga viti 2008, pritet rritja këtë vit

10/02/2021 9:30 AM 0 komente

Niveli i kredisë me probleme në fund të muajit dhjetor arriti në 8.11%, duke shënuar një rënie të lehtë me 0.09 pikë përqindje në krahasimin me fundin e 2019-s. Ky është niveli më i ulët në 12 vjet, që prej vitit 2008, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Ndonëse 2020-a ishte i vështirë për sistemin bankar, si rrjedhojë e pandemisë, kjo nuk është reflektuar në treguesin e kredive me probleme, për shkak të masave të Bankës së Shqipërisë, që mundësuan shtyrjen me pothuajse gjashtë muaj të pagesës së kësteve të kredisë (mars-gusht), ndërkohë që iu krijuan bankave hapësira për t’i ristrukturuar kreditë pa penalitete dhe pa përkeqësim të statusit të kredimarrësve deri në fund të vitit 2020. Një kuadër i tillë ka favorizuar qëndrueshmërinë e raportit të kredive me probleme dhe një rimëkëmbje të shpejtë të aktivitetit kreditues. Përgjatë gjithë vitit 2020, niveli i kredive me probleme ishte në nivele të qëndrueshme, në rreth 8.2%.

Dhjetori ishte muaji i parë kur bankat do të fillonin të ristrukturonin kreditë e shtyra gjatë periudhës së pandemisë (afati i fundit i shtyrjes ishte gushti, por bankat fillojnë i klasifikojnë huatë e pakthyera në afat pas tre muajsh, pra pas nëntorit), por një rregullore e Bankës së Shqipërisë mes të janarit të këtij viti, vendosi të shtyjë deri në datë 31 mars masat e përkohshme që iu lejojnë bankave të mos riklasifikojnë si të këqija kreditë e ristrukturuara. Vendimi i Bankës së Shqipërisë i lejon bankat të vijojnë ristrukturimet pa i klasifikuar këto detyrime si kredi të këqija. Një veprim të ngjashëm me atë të Bankës së Shqipërisë kanë ndërmarrë edhe autoritetet homologe të vendeve të tjera europiane.

Ndërsa rritja e kredive me probleme u arrit të frenohej në 2020-n, pasojat e pandemisë pritet të reflektohen përgjatë këtij viti.

Prof. Spiro Brumbulli, Sekretar i Shoqatës Shqiptare të Bankave ka pohuar në një intervistë të mëparshme për Monitor se efektet e pandemisë në portofolin e kredisë do të ndihen gjatë këtij viti. “Rënia e PBB-së dhe rritja e papunësisë gjatë vitit 2020 me siguri krijon vështirësi reale dhe objektive në ecurinë e bizneseve dhe në punësimin e individëve. Këto vështirësi përkthehen financiarisht në pamundësi pagese. Pra, jo të gjitha kreditë do të shlyhen në mënyrë të rregullt. Me gjithë efektet pozitive të moratoriumit, nuk përjashtohen rastet e mbylljes (falimentit) dhe pamundësisë së gjetjes së një pune të re. Kjo do të thotë se kreditë e këqija në vitin 2021 do të njohin një tjetër panorama”.

Por, ai shton se sistemi do të jetë i përgatitur. “Bankat kanë filluar të marrin masa paraprake, duke rritur provigjionet në mënyrë të përgjithshme, në mënyrë që të mos gjenden të papërgatitura nga ajo që do të na tregojë viti 2021”.

Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë ka pohuar se po studion masa të reja për t’iu përgjigjur një rritjeje të mundshme të raportit të kredive me probleme gjatë vitit 2021. Dy nga masat e mundshme mund të jenë shkurtimi i afatit të fshirjes së kredive të humbura, si edhe zgjatja e afatit të rregullores së ristrukturimit jashtëgjyqësor të kredive të këqija në më shumë se një bankë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of