Kreditimi i ekonomisë e nisi me një tendencë pozitive edhe vitin 2022.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sektori bankar në janar dha kredi të reja për një vlerë totale prej 19.2 miliardë lekësh, në rritje me 68% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo është vlera më e lartë e kredisë së re e dhënë për muajin janar në gjashtë vitet e fundit. Rritja e kredisë së re kishte bazë të gjerë dhe ishte e shpërndarë në të gjithë segmentet kryesorë të tregut.
Kredia për ndërmarrjet private kishte peshën kryesore edhe në janar, me një vlerë totale kredie prej 10.9 miliardë lekësh, në rritje me 47% krahasuar janarin e vitit të kaluar.
Kontribut të rëndësishëm edhe për janarin dha edhe kreditimi i ndërmarrjeve publike, me një vlerë prej 3.4 miliardë lekësh, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë kredia në këtë segment kishte qenë 0.
Rikthimi i huadhënies në segmentin e kompanive publike është i lidhur kryesisht me nevojën për blerje të energjisë nga importi. Që nga muaji tetor deri në muajin janar, sektori bankar ka dhënë më shumë se 14 miliardë lekë kredi për financimin e importeve të energjisë, kredi që janë garantuar nga qeveria shqiptare.
Kreditimi për janarin rezultoi sërish pozitiv edhe në segmentin e individëve. Kredia e re arriti në 4.9 miliardë lekë, në rritje me 23% krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Interesi në rritje për të investuar në pasuri të paluajtshme dhe rimëkëmbja e konsumit po nxisin kërkesën për hua tek individët edhe këtë vit.
I matur si tepricë kredie, portofoli total në fund të muajit janar arriti vlerën e pothuajse 665 miliardë lekëve. Megjithëse vlera e portofolit ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me dhjetorin, me bazë vjetore ritmet e rritjes ngelen të qëndrueshme.
Portofoli kishte një vlerë 9.6% më të lartë krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Ritmet më të larta të rritjes shënohen në segmentin e ndërmarrjeve publike, me 43% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritje dyshifrore shënon edhe portofoli i individëve, me 12.3%, ndërsa për bizneset private rritja është më e ulët, në nivelin 7.1%.
Shifrat e janarit i japin vijimësi ecurisë pozitive të kredisë që ishte shënuar edhe vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2021 shuma e kredisë së re të disbursuar nga sektori bankar arriti në 264.6 miliardë lekë ose pothuajse 2.2 miliardë euro.
Krahasuar me vitin 2020, vlera e kredisë së re ka shënuar rritje me 7.8%. Kontributi në rritjen e kredisë gjatë vitit 2021 ka ardhur nga ndërmarrjet publike dhe nga individët, ndërsa kredia për kompanitë private ka shënuar rënie krahasuar me një vit më parë.
Kreditimi i ekonomisë po vijon të ecë me ritme të mira, pavarësisht se prej afro dy vitesh po përballet me ngjarje shqetësuese, si pandemia apo vala e shpejtë inflacioniste që ka nisur në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Për më tepër, kreditimi i bizneseve dhe familjeve është fokusuar edhe më shumë në financimin e investimeve, çka i jep rritjes së kredisë më shumë qëndrueshmëri në kohë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.