Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kërkoi sot nga bankat tregtare më shumë vëmendje për sektorin e bujqësisë.
Në fjalën e tij gjatë takimit “Kreditimi dhe Financimi i Bujqësisë Shqiptare”, Guvernatori pranoi se kreditimi i bujqësisë ende paraqet rreziqe të konsiderueshme, megjithëse këto rreziqe kanë një tendencë drejt uljes.
“Arsyeja e parë e nivelit të ulët të kreditimit ka të bëjë me rrezikun e lartë, real e të perceptuar, që ka investimi në bujqësi. Megjithatë, ky rrezik mendoj se është drejt reduktimit. Nga njëra anë, përmirësimi i infrastrukturës mbështetëse të prodhimit bujqësor, përmirësimi i rrjetit rrugor dhe konsolidimi i zinxhirit të tregtisë që sjell produktet në tregje, përmirëson modelin e biznesit të këtij sektori.
Nga ana tjetër, promovimi i agroturizmit dhe mbështetja e agrobiznesit, rrit zinxhirin e vlerës së shtuar dhe rentabilitetin e investimit në bujqësi. Në këtë kontekst, dëshiroj të përshëndes skemën e mekanizimit lehtësues të agrobiznesit, skemë e cila përfshin kontributin e përbashkët të Qeverisë Shqiptare dhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Kjo skemë ofron një kontribut të qenësishëm, rreth nivelit të 150 milionë eurove, si në formën e kredive direkte dhe në atë të mbështetjes me garanci për kreditim. Sa më sipër, duke konstatuar përgjigjen pozitive që sektori bankar i ka dhënë kësaj skeme, ku tashmë katër banka janë pjesë e saj, dëshiroj të inkurajoj dhe bankat e tjera drejt adoptimit të një përqasjeje më pozitive ndaj këtij sektori,” tha Sejko.
Ai shtoi se përvoja botërore sugjeron se reduktimi i rrezikut në bujqësi mund të adresohet edhe nëpërmjet promovimit të skemave të sigurimit privat. Arsyeja tjetër e nivelit të ulët të kreditimit në bujqësi është fragmentarizimi i tokës bujqësore, që pengon gjenerimin e ekonomive të shkallës, ul produktivitetin e sektorit dhe redukton atraktivitetin e tij për industrinë bankare.
Duke ju referuar të dhënave të Komisionit Evropian, një fermë tipike shqiptare zotëron mesatarisht 1.2 hektarë tokë, krahasuar me një mesatare prej rreth 14 hektarë në Evropë. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të INSTAT-it, rreth 99.6% e bizneseve bujqësore punësojnë nga një deri në katër të punësuar, një raport ky dukshëm më i lartë se mesatarja e sektorëve të tjerë të ekonomisë.
“Në këtë kontekst, larg emocioneve negative që mund të ngjallë memoria e kooperativave ineficiente të kohës së komunizmit, mendoj se ka nevojë për një ndërgjegjësim më të madh të fermerit shqiptar për krijimin e partneriteteve dhe skemave kolektive të ndarjes së rrezikut, të bazuara mbi iniciativën e lirë dhe interesat e përbashkëta.
Këto partneritete përmirësojnë aksesin e fermerëve në kredi dhe shanset e tyre për sukses. Arsyeja tjetër e nivelit të ulët të kreditimit në bujqësi ka të bëjë me mungesën e një kolaterali të shëndoshë. Në shumë raste, titulli i pronësisë mungon ose vlera e tij është e ulët përkundrejt nevojave për financim,” tha Guvernatori.
Aktualisht, kredia për bujqësinë përbën vetëm 1.7% të financimit që bankat ofrojnë për biznesin privat dhe ky raport nuk ka ndryshuar në dekadën e fundit. Me gjithë risitë që ka ofruar sistemi bankar për tregun e kredidhënies, Banka e Shqipërisë vlerëson se mbështetja me hua mbetet larg nevojave reale të sektorit.
Sipas Sejkos, skemat e garancisë sovrane ofrojnë një zgjidhje të përshtatshme për zbutjen e këtij problem në afatin e shkurtër e të mesëm. Megjithatë, adresimi i tij në afatin e gjatë do të kërkojë më shumë vëmendje nga autoritetet lokale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.