Kreditimi nga institucionet financiare jo banka u rrit me ritme dyshifrore edhe në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera totale e portofolit arriti vlerën e 45.3 miliardë lekëve, në rritje me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, që nga fillimi i vitit, portofoli i kredisë së institucioneve financiare jo banka është rritur me 1.8 miliardë lekë (afërsisht 4%).
Rritja e portofolit të kredisë është ngadalësuar disi krahasuar me fundin e vitit 2021, (kur rritja vjetore kishte qenë 15%), por në tërësi, huadhënia nga këto institucione duket se ka vijuar të ruajë një tendencë pozitive edhe në tremujorin e parë të vitit. Efektet e inflacionit të rritur në ecurinë e përgjithshme të portofolit nuk janë ende domethënëse, ashtu siç ka ndodhur edhe për sektorin bankar.
Rritja veçanërisht të lartë, me bazë vjetore, vazhdon të shfaqë portofoli i kredisë për individët të dhëna nga këto institucione. Me bazë vjetore, kredia në lekë për individët e dhënë nga këto institucione shënoi një rritje prej afërsisht 18%, normë rritjeje më e lartë se mesatarja e kredisë së sektorit.
Këto kredi përgjithësisht kanë norma të larta interesi dhe kanë në fokus një segment të individëve që zakonisht e ka të vështirë të gjejë akses në sektorin bankar, për shkak të riskut më të lartë, të lidhur me nivelin e të ardhurave, formalizimin e tyre apo statusin e tyre si huamarrës. Sidoqoftë, gjatë tremujorit të parë, rritja e kredisë në këtë segment u ngadalësua disi, me 3% që nga fillimi i vitit (nga 4% që ishte rritja mesatare e portofolit të kredisë së mikrofinancës).
Për shkak të rrezikut më të lartë, segmenti i mikrofinancës konsumatore mund të jetë më i ekspozuar ndaj efekteve të inflacionit të lartë në aftësinë paguese të klientëve. Të dhënat për sa i takon raportit të kredive me probleme nuk janë ende të disponueshme për këtë vit. Megjithatë, qysh gatë vitit 2021 u vërejt një tendencë në përkeqësim e cilësisë së portofolit. Raporti i kredive me probleme për institucionet financiare jo banka u rrit në 13.6%, nga 11.2% që kishte qenë një vit më parë. Rritja e kredive me probleme ka ardhur kryesisht si pasojë e përkeqësimit të cilësisë së portofolit në subjektet e mikrokredisë.
Që nga fillimi i këtij viti, këto institucione po përballen edhe me aplikimin e një normë maksimale të interesit efektiv (NEI maksimal) mbi kreditë konsumatore. Për gjysmën e parë të vitit, NEI maksimal për shumat deri në 200 mijë Lekë ishte 171.41%, ndërsa për 6-mujorin e dytë ky tregues është ulur në 136.58%. Ky tavan gradualisht mund ta kufizojë aktivitetin e këtyre institucioneve sidomos në segmentin e kredive në shuma minimale dhe me afate disamujore maturimi, produkt për të cilat NEI rezulton edhe më i lartë, për shkak të peshës së lartë relative të kostove fikse, të lidhura kryesisht me komisionet.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.